RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Ndërron jetë nënkryetari i Shkupit, Kosova ngushëllon familjen Maliqi

01/12/2020

Ndërron jetë nënkryetari i Shkupit, Kosova ngushëllon familjen Maliqi
Enver Maliqi

Ka ndërruar jetë nënkryetar i qytetit të Shkupit, Enver Maliqi.

 

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë se është i trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi i hidhur për largimin nga kjo botë të Enver Maliqit, nënkryetar i qytetit të Shkupit, afarist i respektuar, konsull nderi i Meksikës, humanist dhe mbështetës i njerëzve në nevojë.

“I dashur Enver, ti e doje jetën dhe dije ta çmosh çdo moment të shtrenjtë dhe me zemërgjerësinë që ishte virtyti yt i dalluar, e ndaje pa rezervë çdo çast me familjarët, me miqtë, me bashkëpunëtorët dhe me secilin që pate rastin të takosh dhe të njohësh në rrugëtimin tënd në këtë botë. Të lumtur dhe të bekuar jemi të gjithë që ishim edhe një pjesëz e vogël në përditshmërinë tënde. Kujtimin dhe mallin për ty do e ruajmë në zemër përjetësisht. Prehu më paqe miku im i dashur!”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” Talat Xhaferi.

Edhe në Kosovë i kanë shprehur ngushëllime familjes Maliqi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në emër të komunitetit të biznesit, ka shprehur ngushëllimet me të sinqerta për familjen Maliqi. “Enveri ka qenë anëtar i devotshëm dhe përkahes i fuqishëm i Odës Ekonomike të Kosovës. Humbje e madhe për të gjithë miqtë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe më gjerë”, ka shkruar Rukiqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Po ashtu edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar për vdekjen e nënkryetarit të Shkupit, Enver Maliqi. “Pikëllues lajmi për vdekjen e Enver Maliqit, nënkryetar i Shkupit. Ngushëllime për familjen, miqtë, qytetarët dhe institucionet e Bashkisë së Shkupit. U prehtë në paqe”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.