RTSH 24 Live

Serbi

Ndërpriten gërmimet në një varrezë masive në Serbi

12/12/2020

Ndërpriten gërmimet në një varrezë masive në Serbi
Kizhevak, Serbi

Gjatë gërmimeve në varrezën masive të Kizhevakut në Rashkë të Serbisë, autoritetet deri më tash kanë bërë tërheqjen e mbetjeve mortore të 4 deri në 5 personave. Kjo është bërë e ditur në konferencën për media të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë.

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka njoftuar se kërkimet zyrtare në këtë varrezë masive kanë nisur dy javë më herët dhe se terreni ka qenë mjaft i vështirë.

“Dje për shkak të motit janë detyruar që të ndërpresin punën, sepse javën e kaluar ka pasur shumë shi dhe pritet që shumë shpejtë të bie edhe borë”, tha Gërxhaliu

“Deri më tash janë tërhequr ato pjesë kockore që kanë qenë në sipërfaqe pas gjetjes. Të njëjtat janë ekzaminuar në aspektin mjeko-ligjor, janë marrë mostrat për AND, dhe para se t’i qasemi punës në pranverë, do t’i kemi edhe rezultatet e identifikimit, me çka do ta dimë edhe cilit regjion i takojnë, sepse do të jenë të sakta”, shtoi ai.

Zyrtarët njoftuan se pjesa tjetër e lokacionit është konservuar me standarde pesë-shtresore, me masa gjeoplastike, të cilat nuk lejojnë lëvizjen e as lagien e vendit. Për të ofruar siguri është ndërtuar edhe një çati në pjesën e epërme.

Varreza masive në Kizhevak është e pesta varrezë masive me viktima shqiptare që zbulohet në territorin e Serbisë.

Bëhet fjalë për një minierë ku për vite të tëra janë hedhur gurë dhe mbeturina.