RTSH 24 Live

Aktualitet

Ndërkombëtarizimi dhe programet prioritare, Kushi: Financim shtesë për universitetet publike

22/06/2022

Ndërkombëtarizimi dhe programet prioritare, Kushi: Financim shtesë për universitetet publike

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme disa ndryshime në modelin e financimit të buxhetit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Ministrja Evis Kushi deklaroi se këto ndryshime kanë për qëllim që të reflektojnë në formulën e financimit politikat e reja që janë ndërmarrë në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

“Miratuam disa ndryshime në modelin e financimit të buxhetit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor. Këto ndryshime kanë për qëllim që të reflektojnë në formulën e financimit politikat e reja që kemi ndërmarrë në fushën e  Arsimin të Lartë dhe Kërkimit Shkencor. Siç është ndërkombëtarizimi i Universitetit dhe shpallja e programeve prioritare për zhvillimin e vendit. Konkretisht formula e financimit do përmbajë disa elementë shtesë, për shembull: të gjitha universitetet që tashmë kanë programe prioritare që janë shpallur me vendim të KM apo që kanë programe të përbashkëta apo të dyfishta studimi me universitete prestigjioze evropiane apo botërore, do përfitojnë financim shtesë, sigurisht bazuar në numrin e studentëve që janë të regjistruar në këto programe.

Këtë model financimi e kemi konsultuar me modelet më të mira të BE, por natyrisht e kemi përshtatur me kushtet e Shqipërisë, me ligjin në fuqi të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit shkencor. Ne do shpallim dhe një thirrje për të gjitha universitetet që të aplikojnë me projekte për financim shtesë për kërkimin shkencor në kuadër të ndërkombëtarizimit. Universitetet mund të aplikojnë me projektet që kanë për të marrë financim për laboratorë apo investime të tjera, infrastrukturë kërkimore-shkencore”, tha Ministrja Kushi.

/rtsh.al/