RTSH 24 Live

Kulturë

Ndarja nga jeta e piktorit Sali Shijaku, Begaj: Me veprën e tij prej artisti të madh do të mbetet përjetësisht “Nderi i Kombit”

24/09/2022

Ndarja nga jeta e piktorit Sali Shijaku, Begaj: Me veprën e tij prej artisti të madh do të mbetet përjetësisht “Nderi i Kombit”

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku. Në një postim në Facebook, Begaj shkruan se Shijaku, me emrin dhe veprën e tij prej artisti të madh, do të mbetet përjetësisht “Nderi i Kombit”.

Mësova me dhimbje lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të “Piktorit të Popullit” Sali Shijaku, i cili me emrin dhe veprën e tij prej artisti të madh dhe qytetari e intelektuali të angazhuar dhe atdhetar, do të mbetet përjetësisht “Nderi i Kombit”. Ndaj sot, duke iu shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera, familjes së piktorit të madh dhe gjithë të afërmve të tij, por edhe komunitetit të artistëve shqiptarë, jam pranë tyre në këto çaste dhimbjeje të madhe. Lamtumirë artisti ynë i madh Sali Shijaku”, shkruan Begaj.

Sali Shijaku u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. Ai ishte një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili arriti të krijonte vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965 -1980. Homazhet në nder të tij do të zhvillohen ditën e diel më 25 shtator në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00-12:00.

/rtsh.al/