RTSH 24 Live

Kulturë

Ndahet nga jeta shkrimtarja dhe gazetarja, Vera Isaku

22/07/2021

Ndahet nga jeta shkrimtarja dhe gazetarja, Vera Isaku

Vera Isaku, gazetare, shkrimtare dhe publiciste, e njohur e së fundi edhe si piktore, është ndarë nga jeta në moshën 66 vjeçare pas një semundjeje të rëndë.Vera lindi në Bilisht, aty ku kaloi vitet e saj të fëmijërisë dhe rinisë së hershme, të cilit i kushtoi edhe romanin sagë “Fate tullace”. Ajo kreu më pas studimet universitare për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Pas përfundimit të universitetit, së bashku me bashkëshortin, poetin Agim Isaku,​ ajo jetoi dhe punoi për një kohë të gjatë në Lezhë, ku te dy ishin pjesë e rrethit të gjerë intelektual të krijuar atje dhe që ndikoi në permirësimin e jetës kulturore dhe artistike atje.

Me nisjen e proceseve demokratike, vijnë në Tirane dhe ajo iu bashkua shtypit opozitar, duke qenë gazetarja e parë femër e gazetës “Rilindja Demokratike”.​ Deri në vitin 1992 kur edhe Partia Demokratike erdhi në pushtet pas fitores se 22 marsit, ajo ishte një nga penat më të njohura të gazetës së parë opozitare të vendit. Isaku ka qenë gjithashtu drejtuese në Radio-Televizionin Shqiptar, ku ka mbajtur funksionet e nëndrejtores së Radio Tiranës dhe zëvendësdrejtores së Televizionit Shqiptar. Ajo për një periudhë kohe ka qenë dhe drejtore e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Kontributet intelektuale të Vera Isakut përfshijnë një numër të madh shkrimesh publicistike në shtypin vendas dhe të huaj. Ajo është autore e një serie librash në zhanre te ndryshme, si: romani, tregimi, poezia dhe eseistika.  Disa nga veprat e saj me te njohura janë: "Fate tullace", "Qëllime të mira", "Asgjë përgjithmonë", "Ruset në Shqipëri" etj. Në vitet e fundit ajo iu kushtua edhe pikturës duke hapur një ekspozitë te suksesshme me 30 punime në vitin 2015. Në përmbushje të dëshirës së saj ceremonia e përcjelljes është  private, me pjesëmarrjen e rrethit të ngushtë familjar. Familjen e Isakut e ka ngushëlluar dhe presidenti i vendit, Ilir Meta. Ai shkruan se, “personalitet i respektuar i gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, autore e një sërë veprash të vlerësuara, qytetare dhe familjare model, kontributi i saj për kulturën, progresin dhe emancipimin shoqëror e ka merituar nderimin dhe respektin e mbarë opinionit”.