RTSH 24 Live

Kulturë

Ndahet nga jeta aktori i njohur Xhemil Tagani

04/01/2021

Ndahet nga jeta aktori i njohur Xhemil Tagani
Xhemil Tagani

Dita e sotme nis me një lajm të trishtë për artin shqiptar. Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Xhemil Tagani. Tagani u lind në Tiranë, më 6 shkurt 1945. Ai mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, në degën e dramës dhe më 1968 filloi punë si aktor ne Teatrin Popullor derisa doli në pension. Në karrierën e tij artistike ka interpretuar mbi 70 role në teatër, kryesisht nga dramaturgjia kombëtare. Luajti mjaft role të dyta dhe episodike. U shqua për krijimin e karaktereve.

Ndër rolet më të njohura të taganit janë: Agroni te “Shokët”, Alqi te “Studentja e vitit të fundit”, Tushka te “Një nuse për Stasin”, Uçi te “I pazvëndësueshmi”, Selimi te “Bashkë me Agimin”, Ina te “Arturo Ui”, Peç Mbloçi te “Lumi i vdekur”, Reizi te “Duke u gëdhirë viti 1945”, Samiu te “Kështu të dua”, Thomai te “Nën dritat e skenës”, te “Kryqi i bardhë”, etj.

Tagani ka interpretuar edhe në disa filma artistikë. Pas vitit 1992 u shkëput nga teatri, duke e mbyllur karrierën e tij të mbi tre dekadave në skenën e Teatrit Popullor.