RTSH 24 Live

Ekonomi

Nafta pa taksa për bujqësinë, Ekonomi: 302 fermerë kanë aplikuar në ditën e 5-të

20/01/2021

Nafta pa taksa për bujqësinë, Ekonomi: 302 fermerë kanë aplikuar në ditën e 5-të
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi informon se, vijon normalisht proçesi i aplikimit online të fermerëve në portalin e-Albania për përfitimin e naftës falas për bujqësinë. “Në ditën e 5-të nga nisja e procesit, 302 fermerë në të gjithë Shqipërinë kanë aplikuar në zyrat e AREB dhe agropikave ndërsa më shumë se 600 aplikantë kanë dorëzuar me sukses dokumentacionin e tyre”- shprehet Ekonomi.
Fermerët në gjithë vendin kanë treguar interes ndaj kësaj skeme mbështetëse.
Ndërsa Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vënë në dispozicion numrin pa pagesë 0800 83 83 për çdo informacion shtesë që kanë fermerët rreth aplikimit.
MBZHR ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit duke ofruar mbështetje të plotë ndaj fermerëve të interesuar.
Në të gjithë vendin janë ngritur 56 zyra aplikimi pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB) dhe Agropikave ku janë angazhuar rreth 180 specialistë të trajnuar për të pritur dhe plotësuar aplikimet e fermerëve.
Të gjitha zyrat e aplikimit në AREB-e dhe Agropika, janë të pajisura me bazën materiale, kompjuterit për çdo specialist, skaner dhe internet.
Aplikimet online do të zgjasin deri më 25 shkurt.