RTSH 24 Live

Ekonomi

Nafta dhe çmimet në Europë dhe botë, një analizë në shifra për treguesit e raportuar të një litri

03/08/2022

Nafta dhe çmimet në Europë dhe botë, një analizë në shifra për treguesit e raportuar të një litri

Nga data 22 korrik deri në datën 2 gusht të këtij viti Bordi i Transparencës së Karburanteve nuk ndryshoi asnjë nga çmimet e produkteve hidrokarbure që importohen dhe shiten në Shqipëri.

Edhe pse tregu i Mesdheut raporton ndryshim të përditshëm të çmimit Plat’s të naftës, Bordi qëndroi në një çmim të fiksuar, duke iu afruar standardit të caktimit të këtij çmimi, sipas aktit normative të qeverisë të datës 12 Mars 2022.

Tregu ndërkombëtar i kontratave paraprake, që i takojnë çmimit të rafinimit të muajit shtator 2022 e  në vijim, ka pasur ulje të konsiderueshme.

Si në Teksas, ashtu edhe në Bursën e Londrës, grafikët tregojnë se java e fundit ka regjistruar kontrata paraprake më të lira se sa një javë më parë.

Reflektimi i Bordit të Transparencës u ngrit mbi këta tregues, duke bërë që të shënojë tavanin më të ulët të çmimit të naftës në muajin e fundit.

Në nivel global, ka disa faktorë që kanë ndikuar, sipas analistëve të tregut. Çmimi i naftës është në rënie, pas lajmeve se Arabia Saudite rriti eksportet e naftës së papërpunuar në nivelin më të lartë të dy viteve të fundit, në korrik, prej 7.5 milionë fuçi në ditë.

Një sondazh i agjencisë së lajmeve Reuters raportoi një rritje prej 300,000 fuçi në ditë në furnizimin e OPEC, në korrik. Megjithatë, OPEC është ende 1.3 milionë fuçi në ditë, nën kuotë. Vëmendja po drejtohet në një takim, ditën e mërkurë, të OPEC+ me OPEC-un, nën presionin e klientëve për të rritur furnizimet, ndërsa partneri kryesor i OPEC+, Rusia, është e prirur të mbajë furnizimet sa më të ulëta që të jetë e mundur, në mënyrë që të minojë Perëndimin për mbështetjen e tij për Ukrainën.

Në Tregun Shqiptar, duke filluar nga data 2 gusht, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit është 221 lekë/litri, çmimi i shitjes me pakicë i benzinës është 207 lekë/litri, ndërsa nënproduktit gaz, 81  lekë/litër. Në një krahasim që RTSH ka bërë me shtetet kryesore të Europës, paraqitet kjo pamje në treguesit e këtyre produkteve, në monedhën vendase dhe në Euro.

Në nivelin e përgjithshëm të çmimeve, në raport me shtetet e rajonit dhe më gjerë, në Shqipëri vijon të spikasë përfshirja në çmimin e një litri nafte e një sërë taksash dhe tarifash, që e bëjnë çmimin për njësi më të lartin në vlerë absolute, por sidomos lidhur me partitetin e fuqisë blerëse.

Raportimet e fundit nga Autoriteti Doganor Shqiptar bëjnë fjalë për rënie të ndjeshme të importit të lëndëve hidrokarbureve, e lidhur kjo me rritjen e çmimeve dhe mos përballimin e konsumatorëve për këto çmime. Një dukuri tjetër është, jo vetëm ulja e konsumit, por sidomos furnizimi i mjeteve në pikat dalëse kufitare dhe në shtetet fqinje, ku çmimi është pothuajse 1/3 më i lirë së në vendin tonë.

/rtsh/