RTSH 24 Live

Politikë

Municione, uniforma dhe armatime “Made in Albania”, Ministri i Mbrojtjes tregon kur nis prodhimi

16 orë para

Municione, uniforma dhe armatime “Made in Albania”, Ministri i Mbrojtjes tregon kur nis prodhimi

Një nga zhvillimet më të mëdha në fushën e mbrojtjes gjatë vitit të ardhshëm do të jetë rikthimi në punë i industrisë ushtarake Made in Albania. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu i tha gazetares, Elona Meço gjatë një interviste në emisionin “Pa Censurë” se negociatat me kompanitë e interesuara do të nisin brenda disa javëve.

Deri tani kanë shprehur interesin 21 kompani, të gjitha të huaja dhe të gjitha nga vende të Bashkimit Evropian. Por çfarë do të prodhohet fillimisht, municione apo armatime? 

“Plani i parë është të nisim me faza, fillimisht me municionet.”, u shpreh zoti Vengu, duke qartësuar edhe një objektiv tjetër të planit të prodhimit, për të cilin nuk është folur më parë.

“Bashkë me municionet, synojmë të trajtojmë edhe një problematikë të mbartur prej vitesh sa i përket prodhimit të uniformave, jo vetëm për Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, por për të gjitha agjencitë me uniformë që operojnë në Republikën e Shqipërisë. Synojmë, që shteti, përmes kompanisë shtetërore të themeluar, KAJO, të jetë bashkëaksioner. Praktikisht, ne, jo vetëm të prodhojmë, por edhe të gjenerojmë të ardhura.”, tha Ministri, duke sqaruar se kompanitë mund të përfitojnë lehtësitë fiskale vetëm, kur ato pranojnë të jenë në bashkëpronësi me shtetin shqiptar.

“Kjo është një praktikë e mirënjohur ne vendet e NATO-s”, tha Zoti Vengu, i cili tha se Uzina e Mjekësit, Fabrika e Poliçanit, ajo e Gramshit dhe kantieri detar në bazën e Pashalimanit do të jenë të gatshëm që shumë shpejt të ofrojnë kapacitet prodhues.

“Jam shpresëplotë që kontratat e para , marrëveshjet e para të bashkë-themelimit të firmosen brenda vitit të ardhshëm patjetër, ndërsa, në lidhje me prodhimin, nëse linja e prodhimit investohet relativisht shpejt pas lidhjes së kontratës, mund të them se nuk është e largët koha, kur mund të nisë prodhimi”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes në intervistën për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

/rtsh.al/