RTSH 24 Live

Aktualitet

Moti i keq/ Probleme me energjinë elektrike në Kukës, Korçë e Gjirokastër

23/11/2022

Moti i keq/ Probleme me energjinë elektrike në Kukës, Korçë e Gjirokastër

Situata e ditëve të fundit me reshje të shumta shiu, shoqëruar me erëra të forta ka sjellë probleme kryesisht në fshatrat e njësive malore të juglindjes së vendit. Problemet më të shumta kanë qenë me furnizimin e banorëve me energji elektrike.

Burimet zyrtare bëjnë të ditur se probleme ka patur në disa fshatra të njësisë administrative Leskovik të bashkisë së Kolonjës, në fshatra të njësisë administrative Lekas në bashkinë e Korçës, në Dardhas të Pogradecit si dhe në disa fshatra të fushës së Korçës e të Maliqit.

Për shkak të erës së fortë, problemet më të shumta kanë qenë në 5 fshatra të njësisë administrative Libonik të bashkisë së Maliqit, ndërsa ka patur ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike edhe në fshatrat e njësive administrative Moglicë dhe Gorë, si edhe në disa fshatra të bashkisë së Devollit.

Nga situata e ditëve të fundit nuk raportohen probleme përsa i përket infrastruksturës rrugore përfshirë edhe fshatrat e zonave malore. Situata vijon të jetë normale edhe në fushën e Maliqit ku pavarësisht reshjeve të ditëve të fundit nuk ka patur përmbytje.

Prefekti Odise Kote thotë se ka përmbytje për shkak të daljes së përrenjve të Çullos dhe atij të Lazaratit, disa problem janë në rrugën Kolonjë-Golem,  ndërsa po mbahet në monitorim edhe zona e “Kodrës së Shtufit” në qytetin e Gjirokastrës, pasi pësoi rrëshqitje gjatë të martës.

Të dhënat e Shtabit të Emergjencave pranë prefekturës, Gjirokastër, flasin për nivele normale të ujërave në Lumenjtë Vjosë dhe Drino.

Edhe gjatë të mërkurës ka probleme të mëdha në furnizimin me energji elektrike në njësitë administrative Grykë-Çajë, Kalis, Arrën, Fajza e Gjinaj. Reshjet e shiut dhe era e fortë vijojnë të jenë prezente në territorin e bashkisë Kukës, por pa krijuar probleme në rrugët kombëtare dhe ato rurale, në të trija bashkitë e qarkut të Kukësit.

Rënia e inerteve dhe gurëve në disa prej akseve rurale që lidhen me qytetin e Kukësit nuk kanë ndikuar në qarkullimin e mjeteve.

Reshjet kanë ndikuar në përmirësimin e situatës hidrike mbi kaskadën e Drinit, ku liqeni i Fierzës ka arritur në 276 metra, ndërsa prurjet janë rreth 1000 m3/sek. Për shkak të rritjes së nivelit të ujit po monitorohet me seriozitet situate në rezervuarin e fshatit Zherkë në Tropojë.

/rtsh/