RTSH 24 Live

Europë

Moska akuzon Kievin për përpjekje për të vrarë Presidentin Putin, Ukraina e hedh poshtë

03/05/2023

Moska akuzon Kievin për përpjekje për të vrarë Presidentin Putin, Ukraina e hedh poshtë

Rusia akuzoi të mërkurën Ukrainën se sulmoi Kremlinin me dronë gjatë natës, në një përpjekje të dështuar për të vrarë Presidentin Vladimir Putin, njofton Zëri i Amerikës. 

Kjo është akuza më e fortë që Moska ka ngritur kundër Kievit, që nga sulmi ndaj vendit fqinj, më shumë se 14 muaj më parë.

Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak tha të mërkurën se Kievi nuk kishte të bënte me asnjë sulm me dron ndaj Kremlinit dhe se një veprim i tillë nuk nuk do të kishin asnjë ndikim për Kievin në fushën e betejës, por vetëm sa do të provokonte Rusinë, për të ndërmarrë veprime më radikale.

Në komentet e bëra për agjencinë e lajme "Reuters" zoti Podolyak tha se pretendimi se Kievi qëndron pas sulmit si dhe arrestimi nga Rusia i sabotatorëve të dyshuar ukrainas, janë një tregues se Moska po përgatitet për një sulm "terrorist" në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në ditët në vijim.

"Sigurisht që Ukraina nuk ka asnjë lidhje me sulmet me dronë ndaj Kremlin. Ne nuk e sulmojmë Kremlinin sepse para së gjithash një gjë e tillë nuk ofron asnjë zgjidhje të natyrës ushtarake", tha zoti Podolyak.

Autoritetet ruse thanë se gjatë sulmit të supozuar ndaj rezidencës së Presidentit Putinit, ishin përdorur dy dronë, të cilët arritën të asgjesohen nga mbrojtja elektronike e Kremlinit.

Moska tha se gëzon tashmë të drejtën të hakmerret, një koment që sugjeronte se Rusia mund të përdorë incidentin e supozuar, si justifikim për një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës së saj në Ukrainë.

"Dy mjete ajrore pa pilot ishin nisur në drejtim të Kremlinit. Si rezultat i veprimeve të ndërmarra në kohë nga ushtria dhe shërbimet speciale, dhe falë përdorimit të radarëve, pajisjet u çaktivizuan", thuhej në një deklaratë të Kremlinit.

“Ne i konsiderojmë këto veprime si një akt të planifikuar terrorist dhe një tentativë për vrasjen e presidentit, të kryer në prag të paradës me rastin e 9 Majit, Ditës së Fitores, gjatë së cilës është planifikuar dhe prania e mysafirëve të huaj. Pala ruse rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime hakmarrëse ku dhe kur, ta shohë të arsyeshme”, shprehet Kremlini.

"Baza", një kanal në rrjetin social Telegram, me lidhje me agjencitë ruse të zbatimit të ligjit, postoi një video, ku shfaqej një objekt fluturues tek i afrohej një prej godinave të Kremlinit, me pamje nga Sheshi i Kuq. Pamjet duket se tregojnë më pas një shpërthim të objektit fluturues përpara se t’i afrohet objektit. Agjencia e lajmeve "Reuters"  nuk ka arritur të verifikojë ende vërtetësinë e videos.

Në deklaratën e zyrës së presidentit thuhej se pjesë të dronëve ishin shpërndarë në territorin e kompleksit të ndërtesave të Kremlinit, por nuk pati viktima apo dëme materiale.

Agjencia ruse e lajmeve "RIA" tha se Presidenti Putin nuk kishte qenë në Kremlin në atë kohë dhe se po punonte në rezidencën e tij "Novo Ogaryovo", që ndodhet jashtë Moskës.

 

( Marrë nga Zëri i Amerikës )