RTSH 24 Live

Botë

Mobilizimi i rezervistëve, rusët nisin të largohen masivisht nga Rusia, çmimet e biletave të avionëve kapin vlerën 9,200 euro

21/09/2022

Mobilizimi i rezervistëve, rusët nisin të largohen masivisht nga Rusia, çmimet e biletave të avionëve kapin vlerën 9,200 euro

Një numër i madh rusësh rezervuan bileta për jashtë vendit, pasi presidenti rus Vladimir Putin, njoftoi një mobilizim të pjesshëm të rezervistëve ushtarakë për të luftuar në Ukrainë. Fluturimet u shtuan, ndërsa çmimet e biletave u rritën.

Rusët po ikin me nxitim, të nxitura nga frika se kufijtë e Rusisë mund të mbyllen, ose se Putin mund të shpallë më vonë edhe një thirrje më të gjerë, për të dërguar më shumë rusë të moshës luftarake në vijat e para të frontit. 

Biletat për fluturimet Moskë-Beograd operuan me Air Serbia, i vetmi transportues evropian, përveç Turkish Airlines, që mban ende hapur fluturimet drejt Rusisë, pavarësisht embargos së fluturimeve nga Bashkimi Evropian.

Çmimi i biletave për fluturimet nga Moska në Stamboll ose Dubai, u rrit brenda pak minutash, duke shkuar deri në 9,200 euro (9,119 dollarë) për vende në klasin ekonomik me një drejtim.

Dekreti i Putinit parashikon që numri i personave të thirrur në detyrë aktive do të përcaktohet nga Ministria e Mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha në një intervistë televizive se fillimisht do të mobilizohen 300,000 rezervistë me përvojë luftarake dhe shërbimi.

Rusia është përballur me një eksod në rritje, që kur Putin urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën.  Raportet për përhapjen e panikut mes rusëve vërshuan shpejt rrjetet sociale.

Grupet kundër luftës thanë se çmimet e biletave u rritën për shkak të kërkesës së lartë. Rrjetet sociale në rusisht dhanë këshilla se si mund të shmanget mobilizimin ose si rusët të largohen nga vendi. 

Grupi i monitorimit OVD-Info tha se mbi 800 rusë u arrestuan të mërkurën në protestat kundër luftës në 37 qytete ruse, duke përfshirë Moskën dhe Shën Petersburgun. Protestuesit në Moskë brohoritën "Jo luftës!" dhe "Jeta fëmijëve tanë!". Apnews

/rtsh.al/