RTSH 24 Live

Sociale

Mjekët specialistë 250 000 lekë në muaj, plus pagë, për shërbimet në spitalet rajonale ku ka mungesë personeli

31/01/2023

Mjekët specialistë 250 000 lekë në muaj, plus pagë, për shërbimet në spitalet rajonale ku ka mungesë personeli

Të gjithë mjekët specialistë, të cilët do të kryejnë shërbime të ndryshme pranë spitaleve rajonale, bashkiake dhe ditore, kur konstatohet mungesa e tyre pranë këtyre spitaleve, do të marrin 250 000 lekë në muaj, plus pagës që ata kanë brenda sistemit spitalor.

Firmën e fundit për këtë do ta ketë ministria e Shëndetësisë dhe është në kuadër të financimit nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike për vitin 2023.

Sipas vendimit, i cili publikohet nga rtsh.al, për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale, bashkiake dhe ditore, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë.

Për spitalet bashkiake dhe ditore, kur nuk plotësohen kushtet e përcaktuara, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale urdhëron kontraktimin e mjekëve të përgjithshëm, pranë shërbimit të urgjencës.

“Mjekët e përcaktuar në këtë pikë, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në vlerësimin e komisionit përkatës. Mjekët e kontraktuar, nuk përfitojnë shpërblim sipas ligjit për miratimin e strukturës dhe niveleve të pagave të personelit mjekësor, të punonjësve të tjerë me arsim të lartë dhe të punonjësve të personelit teknik të shkencave mjekësore, në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës, në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe spitalin përkatës”,- thuhet në vendimin që i referohet rtsh.al.

Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe pagesa e tyre bëhet nga buxheti për shërbimet e spitalit.

Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm kundrejt shtesave përkatëse në buxhet, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. /rtsh.al/ a.meta