RTSH 24 Live

Sociale

Mjekët po preken nga sindroma “Burnout”, "Urdhri i Mjekut" thirrje për mbështetje financiare shtesë 

27/01/2022

Mjekët po preken nga sindroma “Burnout”, "Urdhri i Mjekut" thirrje për mbështetje financiare shtesë 

Vala e infektimeve nga varianti i ri “Omicron” ka mbigarkuar sërish mjekët e familjes. Ata si dhe më herët po punojnë përtej kapaciteteve në burime njerzore duke mbajtur peshën e pandemisë.
Përvec vizitave në qendër ata mbajnë kontakte orë e pa orë edhe përmes telefonit me pacientët. Në këto kohë, covid-i, virozat, gripi, vaksinimet, të sëmurët kronikë, injeksionet, analizat , mbushja e shkresave etj,  të gjitha janë shërbime që përmblidhen brenda një qëndre shëndetëore duke sjellë kështu një lodhje në kufijtë e rraskapitjes në vendin e punës.
Drejtoresha e dispancerisë Dr. Entela Nako thotë se fluksi i ekzaminimeve gjatë kësaj kohe ka qënë i lartë, 200-300 në një ditë pune, dhe po kështu edhe ndjekjet e pacientëve post-covid. "Absolutisht ndihemi të lodhur nga ngarkesa, por kur i shërben pacientëve e kur merr mirënjohje prej tyre dhe kur kujton edhe betimin e “Hipokratit”, e neutralizojmë disi" thotë ajo.


Presidenti i Urdhërit të Mjekut Fatmir Brahimaj i tha gazetares së RTSH-së Sonila Mlloja se “në 2018 shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë deklaroi të dhënat e një studimi ku më shumë se gjysma e mjekëve kudo në botë, 4 milionë prej tyre, vuanin nga sindorma e “Burnout”, ndryshe sidroma e "e rraskapitjes në vendin e punës". 
"Imagjinoni tani se si rezulton kjo kur mjekët për shkak të pandemisë po përjetojnë një ngarkesë të lartë punësh shtesë si testimet për covid, analizat shtesë, vaksinime anti-covid, si dhe ndjekja e virozave të tjera dhe sëmundshmërive kronike” – tha Brahimaj
Presidenti i Urdhërit të Mjekut apelon për mbështetje  financiare për mjekët e sistemit parësor dhe të specialiteve të cilët po përballen çdo ditë me këte ngarkesë prej gati dy vitesh.


Mjekët thanë se kanë nevojë t’u dëgjohet fjala dhe të mos krijohen sorollatje në sistem. Ata duhen nderuar, respektuar dhe vlerësuar edhe me anë të një bonus-i financiar shtesë për këtë ngarkesë që po përjetojnë.
 “Burnout” ose sindroma e "rraskapitjes në vendin e punës" është një gjendje me të cilën po përballen gjithnjë e më shumë mjekë në mbarë botën. Shefi i OBSH e ka theksuar disa herë në daljet e tij rezikun e ezaurimit të burimeve njerzore në sistemet shëndetësore gjatë kësaj kohe duke u bëre thirrje qeverive të marrin masa mbështetëse.