RTSH 24 Live

Kosovë

Miratohet Deklarata për të Zhdukurit, Borrell: Faktor kyç për pajtim

02/05/2023

Miratohet Deklarata për të Zhdukurit, Borrell: Faktor kyç për pajtim

Pas dakordimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësimin e BE-së, mbi deklaratën për të pagjeturit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka lëshuar një komunikatë për media.

Sipas Borrell, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kanë rikonfirmuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave ende të zhdukur, për t'i mbyllur vuajtjet për më të dashurit e tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme.

Më tej theksohet se të dyja palët e kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë të përbashkëta për të lehtësuar situatën e familjeve të prekura dhe të komunitetit më të gjerë.

Ata kanë pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK). Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve të tyre përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur, ata kanë miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur”, shkruhet në deklaratë.

 Borrell thekson se Kurti dhe Vuçiç janë zotuar gjithashtu të bien dakord për detajet operacionale në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, në nivel të kryenegociatorëve.

Nga 6.065 rastet e personave të zhdukur në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, 1.621 mbeten të pazgjidhura. Më shumë se njëzet vjet më vonë, familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë në pikëllim, të pavetëdijshëm për vendndodhjen e të dashurve të tyre. Familjet kanë të drejtë të dinë fatin e të afërmve të tyre ashtu si shoqëria në përgjithësi”, shkruan në deklaratë.

 Borrell rikujton se zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar.

Ai është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. Është bërë urgjente të sigurohet që procesi i identifikimit të vendeve të varrimit të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruan në këtë deklaratë. “Kujtimet po zbehen dhe individët, vendet dhe ngjarjet janë më të vështira për t'u hetuar”.

 Sipas tij, kjo është arsyeja pse BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të Personave të Zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve.

Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të Zbatimit të saj do të shqyrtojë rregullisht progresin e arritur”./ RTK

/rtsh.al/