"Serbia është gjithmonë pro bisedës dhe dialogut, por me 'vija të kuqe' shumë të qarta: JO njohje e pavarësisë dhe JO anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara", Kështu ka deklaruar Ministrja për Integrime Evropiane e Serbisë, Tanja Mishçeviq në një intervistë për DW.
Duke folur për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mishçeviq vlerëson se vizita e fundit e delegacionit amerikan në Beograd ishte "një nxitje për diçka që ka mbetur pa u zbatuar nga Marrëveshja e Brukselit, e që është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. "Kjo nuk është kapriço e Serbisë”, thotë ministrja, ndërsa shton se "është nevojë urgjente e serbëve si kolektiv që të mbrohen të drejtat e tyre."
Ministrja për Integrime Evropiane e Serbisë, Tanja Mishçeviq pohon se Serbia nuk lobon dhe nuk është kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Duke iu përgjigjur pyetjes, se pse Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë dhe në këtë mënyrë harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së, ministrja thekson se ky është vetëm një nga elementet e politikës së jashtme dhe kujton se "Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe dënon agresionin rus."
/rtsh.al/