RTSH 24 Live

Sociale

Ministrja Kushi dëgjesë me Komitetin Olimpik: Vendimi për mbylljen e sallave të basteve, i duhuri

21/06/2022

Ministrja Kushi dëgjesë me Komitetin Olimpik: Vendimi për mbylljen e sallave të basteve, i duhuri

Pas dëgjesës që bëri para pak ditësh me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit mbi disa ndryshime të propozuara për Ligjin e Sponsorizimit dhe bastet sportive, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka pritur këtë të martë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit përfaqësues të Komitetit Olimpik dhe federatave të ndryshme sportive. Në një postim në Facebook Kushi shkruan se u diskutua mbi rëndësinë e ligjit të sponsorizimeve dhe mekanizmave në mbështetje të federatave dhe zhvillimin e sportit.

Po ashtu ministrja njofton se gjatë takimit ndanë bindjen si vendim i duhur lidhur me mbylljen e sallave të bixhozit dhe basteve sportive.

Në vijim të dëgjesave që po organizojmë me komunitetin e sportit, prita sot në MAS Presidentin e KOKSH z. Fidel Ylli së bashku me përfaqësues të federatave të ndryshme sportive në vend.

Diskutuam mbi rëndësinë e ligjit të sponsorizimeve dhe mekanizmave të tjerë se si mund të mbështesim federatat dhe të zhvillojmë sportin në tërësi.

Ndamë bindjen se vendimi i mbylljes së sallave të bixhozit dhe basteve sportive në dhjetor të vitit 2018, ka qenë i duhuri dhe nuk mund të rikthehemi në situatën alarmante që këto aktivitete sollën në familjet dhe shoqërinë shqiptare.

Dëgjova argumentet e tyre mbi formalizimin e tregut digjital sipas modeleve më të mira të vendeve të tjera. Në ditët në vijim do të vazhdojmë me dëgjesa të tjera”, shkruan Kushi.

/rtsh.al/