RTSH 24 Live

Ekonomi

Ministrja Krifca takim me komisionerin e BE për fondet e IPARD III

30/03/2023

Ministrja Krifca takim me komisionerin e BE për fondet e IPARD III

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi të enjten një takim në Bruksel me Komisionerin e Bashkimit Europian Janusz Wojciechowski, njoftoi ajo në rrjetet sociale. 

Gjatë takimit u diskutua dhe vlerësua ecuria e zbatimit të Programit IPARD II në Shqipëri, si dhe përgatitjet për IPARD III.

Sipas saj Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është gati përsa i përket dokumentacionit të nevojshëm për të gjithë procesin e hapjes së programit IPARD III, në Shqipëri. Ky process pritet të vlerësohet edhe nga Komisioni Europian. 

Zonja Krifca tha se ministria që drejton është në angazhim maksimal për përthitjen e fondeve nga Bashkimi Europian në mbështetje të fermerëve dhe bujqësisë në të gjithë nënsektorët e saj.

Ndër të tjera ministrja Krifca theksoi se në takimin me komisionerin e BE u diskutua zhvillimi i sektorëve të bujqësisë si dhe orientimin e BE për të mbajtur tregjet e hapura pa barriera, pa ndikimin e luftës në Ukrainë mbi zinxhirin e furnizimit ushqimor, inflacionin dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në përballimin me sukses të këtyre sfidave të përbashkëta

Prej dy vjetësh Shqipëria po implementon programin IPARD II të financuar me 94 milionë Euro nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian. 

Pritet që këtë vit të hapet programi IPARD III me një fond prej 146 milionë euro.

 

/ rtsh.al /