RTSH 24 Live

Ekonomi

Ministrja Krifca në Romë: Bashkëpunim dhe marka të përbashkëta me Italinë

22/05/2023

Ministrja Krifca në Romë: Bashkëpunim dhe marka të përbashkëta me Italinë

“Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë sot është në maksimumin që ka qenë ndonjëherë, teksa synojmë të ardhmen me produkte të përbashkëta dhe etiketa të përbashkëta: “Made in Albania” dhe “Made in Italy”. Kështu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, e cila me ftesë të Ministrit Italian të Bujqësisë, Francesco Llobrigida, mori pjesë në Asamblenë e Koalicionit të Tregjeve të Vogla për Fermerët, që po zhvillohet në Romë.

Ministrja vuri në dukje se “Italia është  partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, me një vëllim shkëmbimesh mbi 4 miliardë euro në vitin 2022, ku mbi 10% e volumit tregtar i përket mallrave bujqësore”.

Krifca tha se, vitet e fundit, ne kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje të jashtëzakonshme të partneriteteve midis kompanive tona dhe ndërmarrjeve italiane që operojnë në industrinë ushqimore.

Ministrja u ndal në përparësinë e agjendës së bashkëpunimit me Italinë, për më shumë sipërmarrje të përbashkëta që kombinojnë avantazhet krahasuese nga të dy brigjet e Adriatikut.

“Ajo që shoh në të ardhmen është bashkëpunimi dhe markat gjithnjë e më shumë të përbashkëta. Shoh produkte të përbashkëta dhe pse jo, etiketa të përbashkëta: “Made in Albania” dhe “Made in Italy”, tha Krifca.

Ministrja vuri në dukje se bashkëpunimi me Italinë nis në ndërtimin e një zinxhiri vlerash që fillon me të korrat dhe përfundon me përsosmërinë e produkteve italo-shqiptare që mund të jenë konkurruese përtej kufijve tanë.

Sipas saj, vlera e shtuar e këtij bashkëpunimi duhet të qëndrojë pikërisht në kombinimin e avantazheve të dy vendeve dhe promovimin të produkteve finale.

“Një dekadë më parë, eksportet tona arrinin mesatarisht një 100 milionë euro. Vitin e kaluar kemi eksportuar me sukses mbi 500 milionë euro produkte bujqësore.

Rritja e jashtëzakonshme e ekonomisë shqiptare në përgjithësi dhe e sektorit bujqësor në veçanti i detyrohet shumë faktorëve të tilla si skema e subvencionimit nga buxheti i shtetit si dhe programi IPARD i financuar nga qeveria shqiptare dhe nga Bashkimi Europian, që fuqizon drejtpërdrejt fermerët dhe eksportuesit e suksesshëm.

Ne kemi lehtësuar gjithashtu procesin e mekanizimit duke eliminuar të gjitha taksat për shumicën e makinerive të importuara dhe mjetet e transportit”, tha Krifca, teksa deklaroi se “për të arritur objektivin tonë prej 1 Miliardë Euro eksporte Brenda vitit 2030, ne nuk mund të anashkalojmë asnjë mundësi për t'u rritur dhe për të bashkëpunuar”.

Pjesëmarrja e ministres Krifca në Asamblenë Ndërkombëtare të Tregjeve të Fermerëve ka ardhur si ftesë e Ministrit Italian të Bujqësisë, Francesco Llobrigida.

/rtsh.al/