RTSH 24 Live

Rajon

Ministrja Krifca merr detyrën e Presidentes së CIHEAM

01/04/2023

Ministrja Krifca merr detyrën e Presidentes së CIHEAM

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca mori të shtunën detyrën e Presidentit të Institutit Ndërqeveritar për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare të Barit (CIHEAM-it).

Zonja Krifca zhvilloi një takim online me stafin e CIHEAM, ku vlerësoi kontributin e rëndësishëm shkencor të këtij institucioni për çështjet kryesore që lidhen me bujqësinë.

“Kjo është hera e parë që Shqipëria është në krye të një pozicioni të rëndësishëm në CIHEAM”, u shpreh ministrja.

Ministrja Krifca theksoi se, qëllimi i saj kryesor do të jetë ripozicionimi i Zonës Mesdhetare në qendër të agjendave politike të vendeve të ndryshme.

“Gjatë presidencës sime, së bashku me sekretarin e përgjithshëm synojmë të zgjerojmë zonën tonë të interesit drejt Lindjes, në veçanti Ballkanit Perëndimor ku mund t’ju siguroj se ka një potencial të madh në zhvillimin e bujqësisë”, deklaroi ajo.

“Është detyra jonë të punojmë me efikasitet në Rritjen e shikueshmërisë së CIHEAM në nivel ndërkombëtar, me qëllim rritjen e numrit të institucioneve të lidhura, numrin e projekteve të fituara dhe për të forcuar objektivat e bashkëpunimit”, u shpreh ministrja.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u zgjodh në mes të nëntorit me votë unanime nga të gjithë pjesëmarrësit si presidente e Bordit Drejtues të Qendrës Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare (CIHEAM), organizatë që për 60 vjet kontribuon për të promovuar kooperimin multilateral mesdhetar në fushat e bujqësisë, të ushqimit, peshkimit dhe menaxhimit të territoreve rurale, duke patur si qëllim t’i përgjigjet nevojave të shteteve dhe aktorëve të agroushqimit.

Ministrja Krifca me eksperiencën e saj në fushën e bujqësië ka marrë besimin për të vazhduar edhe më tej përpjekjet e organizatës në zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme agroushqimore, të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe të aftë për të ushqyer një popullsi në rritje të vazhdueshme.

Shqipëria është anëtare prej 30 vjetësh e kësaj organizate europiane por asnjëherë më parë nuk ka mbajtur pozicione drejtuese.

CIHEAM është një organizatë me qendër në Paris e përbërë nga 13 shtete anëtare (Shqipëria, Algjeria, Egjipti, Franca, Greqia, Italia, Libani, Malta, Maroku, Portugalia, Spanja, Tunizia dhe Turqia) e krijuar në vitin 1962.

Falë aktiviteteve të tij CIHEAM kontribuon në ndërtimin e një vizioni global struktural dhe angazhues për zhvillimin e Mesdheut. Dhënia e zgjidhjeve konkrete, shkëmbimi i experiencës dhe promovimi i dijeve të vlefshme janë objektivat kryesore të secilit nga aktivitetet e tij. CIHEAM ka rreth 170 specialistë të përhershëm dhe qindra konsulente qe punojnë në 5 qendra të kësaj organizate: 4 Instituti Mesdhetare Agronomike bazuar ne Bari ( Itali), Chania (Greqi), Montpellier (France) dhe Zaragoza (Spanje) dhe Sekretariati i Përgjithshëm i bazuar në Itali të cilët janë njëkohësisht aktive në vendet mesdhetare për të zhvilluar aktivitete dhe projekte.

Aktualisht CIHEAM drejton 90 projekte ndërshtetërore, me më shumë se 110 milionë euro të investuara në 50 shtete të angazhuara ku përfshihen mbi 600 institute dhe organizata.

/ rtsh.al /