RTSH 24 Live

Ekonomi

Ministrja Ibrahimaj: Shtesat e pagave të reja për prillin dhe majin shpërndahen brenda muajit qershor

07/06/2023

Ministrja Ibrahimaj: Shtesat e pagave të reja për prillin dhe majin shpërndahen brenda muajit qershor

Shtesat e pagave të reja për prillin dhe majin do  të shpërndahen brenda muajit qershor, bëri të ditur Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj të mërkurën pas mbledhjes së qeverisë.

Sipas saj vonesa në shpërndarjen e shtesës për muajin prill dhe maj erdhi për shkak të udhëzimit që duhej hartuar për mbi 200 institucione qendrore dhe vendore. Ky udhëzim përmban përllogaritjen dhe shpërndarjen e shtesave të pagave të reja që u miratuan nga qeveria Rama si pjesë e paketës të reformës së pagave.

Ibrahimaj hodhi poshtë aludimet se disa zëra nuk janë përllogaritur siç duhet shifrat dhe se skema po rishikohet. Ministrja përsëriti se vonesa erdhi për shkak të kohës së kufizuar, pasi ligji hyri në fuqi vetëm 2 javë më parë dhe se zbardhja e VKM-ve në zbatim të tij kërkonte kohën e vet.

“Nuk ka asnjë ndryshim në koeficientët e përcaktuar për rritjen e pagës dhe për futjen në fuqi, ana buxhetore është e njëjtë, ku pagat do të rriten në dy shkallët e para do të ndodhë gjatë këtij muaji, dhe pjesa tjetër vitin tjetër. Për të mos krijuar vonesa në shpërndarjen e pagave për qytetarët, ne morëm vendim për të vijuar me pagat para muajit prill. Brenda këtij muaji te çdo qytetar do të shkojë edhe shtesa për muajt prill dhe maj. Udhëzimi do të përcaktojë edhe mënyrën e llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat për të mos penalizuar asnjë”, deklaroi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Sipas reformës rritja e pagave do të shtrihet në dy vite, ku synim është rritja e pagës mesatare në 900 euro në muaj.

Në prezantimin e ligjit ministrja Ibrahimaj ka deklaruar se Shqipëria e përballon këtë reformë në këtë moment dhe tha se efekti financiar do të jetë 39 miliardë lekë.

Specialistët më të ulët që punojnë në administratën qendrore do të kenë një rritje nga 49 mijë lekë në 81 mijë lekë. 

Paga e mësuesve në arsimin e mesëm do të shkojë mbi 100 mijë lekë. Në arsimin bazë do të shkojë nga 74 mijë deri në 95 mijë, ndërsa pedagogët do të kenë rritje me 20%. 

Infermierët do të marrin një pagë prej 87 mijë lekësh. 

Rritje e pagave u njoftua edhe për zjarrfikësit, të cilët do të paguhen 80 mijë lekë nga 60 mijë lekë që pagueshin më parë.

/ rtsh.al /