RTSH 24 Live

Ekonomi

Ministrja e Ekonomisë: Në mars nisim kontrollet në bizneset që s’deklarojnë pagat reale

12/01/2022

Ministrja e Ekonomisë: Në mars nisim kontrollet në bizneset që s’deklarojnë pagat reale

Prej muajit mars do të fillojnë kontrollet e thelluara për të gjitha bizneset që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve brenda 20 janarit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se janë 10,550 biznese që duhet të korrigjojnë pagat e punonjësve. Për të kryer analizat për subjektet që fshehin pagat reale, do të ngrihet një grup special i drejtuar nga Ministria e Financave dhe hetimi do të zgjasë 1 vit.

Në konferencën e parë për këtë viti ministrja e konsideroi vitin 2021 të suksesshëm ekonomikisht, prandaj kanë rritur me 1% pritshmëritë për rritjen ekonomike. Ajo shtoi se rritja ekonomike pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2022, por jo me ritmet e vitit të kaluar. Sipas ministres, parashikimi është që rritja ekonomike për vitin 2022 të jetë 4.1%.

"Në vitin 2021, ecuria ekonomike ishte më mirë se parashikimet  rritja ekonomike parashikohet ne 8.6% nga 7.6%, që ishte parashikuar në korrik 2021. Niveli i të ardhurave për vitin 2021 parashikohen 506 miliardë lekë, ose 28.6% e GDP. Objektiv është që të ardhurat të jenë 30% e GDP. Në vitin e kaluar, ishte 21% rritja e të ardhurave në krahasim me vitin 2020, ndërsa në krahasim me 2019 të ardhurat janë rritur me 11% . Fiskalizimi ka nisur të jap rezultatet pozitive, kryesisht në biznesin e madh që ka edhe numrin më të lartë të bizneseve të fiskalizuara. 661 mijë lekë të ardhurat për frymë në vitin 2022, nga rreth 568 mijë lekë që është për vitin 2021. I vetmi sektor që nuk ka pasur rritje pozitive gjatë vitit 2021 ka qenë bujqësia, por ky është një sektor që edhe gjatë viti 2020 ka patur ecuri jo të mirë. Numri i bizneseve ka ardhur në rritje. Gjatë vitit 2021 janë çelur 16090 biznese. Nga ana e prodhimit kemi patur ecuri shumë të mirë në të gjithë sektorët, si dhe nga ana e shpenzimeve. Investimet janë ndikuar nga investimet publike. Rritja ekonomike do vijojë, por jo në nivelet e 2021, por planifikojmë të arrijmë rritje ekonomike me 4.1% për vitin 2022", tha ministrja.