RTSH 24 Live

Aktualitet

Ministri Manja: Shqipëria anëtarësohet në Fondacionin Akademia e të Drejtës Evropiane

20/11/2023

Ministri Manja: Shqipëria anëtarësohet në Fondacionin Akademia e të Drejtës Evropiane

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi të hënën se në Trier të Gjermanisë, Shqipëria, përmes ministrisë së Drejtësisë, ka bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian në fushën e zbatimit të ligjit, duke u bërë e para nga vendet e Ballkanit Perëndimor që anëtarësohet në Fondacionin Akademia e të Drejtës Evropiane. 

Sipas tij, nëpunësit civilë shqiptarë si dhe anëtarët e sistemit juridik, tashmë do të përfitojnë nga ky anëtarësim, në eventet e organizuara nga ERA. Si një anëtare, Shqipëria do të ketë vendin e saj në Bordin Drejtues të ERA.

“Ky bashkëpunim do të sjellë një harmonizim ligjor më të mirë me standardet e BE-së, ngritje të kapaciteteve profesionale, bashkëpunim ndërkombëtar më të ngushtë, përgatitje më të mirë për anëtarësimin në BE dhe një shtim të ekspertizës ligjore për komunitetin e zbatuesve të ligjit në Shqipëri”, deklaroi Manja.

Ministri shprehu falenderim për të gjitha vendet anëtare të Fondacionit ERA, Presidentin e Fondacionit, Bordin Drejtues dhe Drejtorin e Akademisë, për përkrahjen dhe angazhimin e tyre në këtë rrugëtim të rëndësishëm të Shqipërisë drejt përmirësimit të sistemit tonë ligjor.

/rtsh.al/