RTSH 24 Live

Botë

Ministri i Jashtëm grek: Presim presidetin e ri për të zgjidhur çështjen e detit në Hagë

27/05/2022

Ministri i Jashtëm grek: Presim presidetin e ri për të zgjidhur çështjen e detit në Hagë

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias gjatë një interviste për Radion Skay është pyetur se çfarë po bëhet me çështjen e detit me Shqipërinë. Dendias tha se Shqipëria ka rënë dakord që çështja e detit të referohet Gjykatës së Hagës. Kjo çështje, sipas tij, do të marrë rrugën e zgjidhjes kur në Shqipëri të zgjidhet Presidenti i ri, duke theksuar se kreu aktual i shtetit nuk i ka dhënë autorizimin përkatës Kryeministrit.

Duhet parë linjat e gjera të politikave dhe pozicionet e qëndrueshme në politikat e dikujt. Dhe Shqipëria është konsistente me ta. Ajo ra dakord me ne që t'ia referojmë çështjen tonë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës kryeministrit. Me sa duket, Shqipëria do të zgjedhë një President të ri brenda dy-tre muajve të ardhshëm. Pra, e gjithë kjo do të jetë e realizueshme që atëherë. Sinqerisht, kjo është ajo që mbaj nga qëndrimi shqiptar, si dhe nga linja e përgjithshme e politikës së Shqipërisë në lidhje me vendimet e Bashkimit Evropian, si për çështjen e Qipros, ashtu edhe për Turqinë. Shqipëria ka respektuar të gjitha vendimet. Ajo i ka respektuar të gjitha, pavarësisht se ende nuk i është dhënë statusi specifik që do ta detyronte Shqipërinë ta bënte këtë. Ajo ka respektuar të gjitha vendimet. Pra, ne, në Greqi, nuk duhet të pranojmë stereotipe; në vend të kësaj, ne duhet të shohim pamjen e plotë dhe të qartë dhe t'i japim kohë bashkëbiseduesit tonë për t'u përshtatur", thotë Dendias.

Dendias shprehet se takimi që mbajti në 23 maj me kryeministrin Edi Rama ishte i shkëlqyer dhe mjaft i frytshëm ndërsa vlerësoi marrëdhëniet mes qeverive të dy vendeve. 

“Për Shqipërinë në përgjithësi, do t'ju këshilloja të shikonit nga afër qëndrimin e kryeministrit, zotit Rama – dhe nuk do të zgjerohem më. Pas takimit me kryeministrin dhe drekës që ai pati dashamirësi të shtronte, vizitën do ta cilësoja jashtëzakonisht të suksesshme. Mendoj se përgjigja e Greqisë është dhënë, që të mos ketë keqkuptime në asnjë pjesë. Përtej kësaj, nuk mendoj se marrëdhëniet greko-shqiptare do të mbeten peng i kësaj çështjeje, të cilën pala greke, mendoj me të drejtë, e konsideron si inekzistente. Shqipëria ka bërë një zgjedhje të rëndësishme të paktën në kohën e kryeministrit Rama. Cila është ajo zgjedhje? Është Bashkimi Evropian, ligji evropian dhe, rrjedhimisht, partneriteti me Greqinë. Kjo është politika e saj e vendosur”, deklaroi Dendias.

/rtsh.al/