RTSH 24 Live

Politikë

Ministri Çuçi reagon pas akuzave të Berishës: Sajesa të neveritshme, nuk kam skafe apo gomone

05/08/2022

Ministri Çuçi reagon pas akuzave të Berishës: Sajesa të neveritshme, nuk kam skafe apo gomone

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar pas akuzave të bëra nga Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha, duke i konsideruar si sajesa të neveritshme. Një ditë pas deklaratave të Berishës për tragjedinë e Himarës ku humbi jetën një 7-vjeçare pasi u përplas nga një gomone, ku kërkonte dorëheqjen ose shkarkimin e Ministrit,  pasi sipas tij kishte në pronësi një kompani mjetesh lundruese, ky i fundit ka deklaruar se po keqpërdoret tragjedia për të mbajtur gjallë hallet politike. Ministri sqaron se bëhet fjalë për një shoqatë velierash sportive që ka me disa miq të tij, por nuk ka asnjë lidhje me skafe apo gomone.

Ka një përpjekje për të prodhuar fakte që të ilustrojnë akuzat e gatshme të Sali Berishës ndaj meje pas tragjedisë së fundit në Himarë. Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone. I hedh poshtë me neveri këto sajesa, pasi duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike.

Gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës dhe për ne që jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së tyre, jam përpjekur të flas me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie, të cilët tani janë para drejtësisë, përfshirë gjithashtu dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare Vlorë.

Mendoj se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj. Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30- vjeçare dhe nuk më sfidon. Thjesht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve të ndajmë fatin e Shqipërisë nga fati dhe balta e tij”, shkruan në rrjetin social Facebook ministri Çuçi.

Mbrëmjen e 4 gushtit një protestë e organizuar nga shoqëria civile u mbajt para Ministrisë së Brendshme nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti”. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nanos, si dhe ministres Mirela Kumbaro.

/rtsh.al/