RTSH 24 Live

Politikë

Meta thirrje qeverisë : Të rimbursojë të gjithë pacientët që e kanë kuruar Covid-19 në banesa dhe t’ju ofrojë atyre ilaçe falas!

26/02/2021

Meta thirrje qeverisë : Të rimbursojë të gjithë pacientët që e kanë kuruar Covid-19 në banesa dhe t’ju ofrojë atyre ilaçe falas!

Presidenti Ilir Meta vazhdon t'i bëjë presion qeverisë së kryeministrit Edi Rama, për të ndihmuar të sëmurët me koronavirus dhe ti japi fund demagogjisë me "Shëndetësi falas". Përmes një reagimi në rrjetet sociale, zoti Meta i kërkon qeverisë të rimbursojë të gjithë pacientët që e kanë kuruar Covid-19 në banesa dhe t’ju ofrojë atyre ilaçe falas.
"Dëshmitë e pacientëve të infektuar me COVID-19 dhe të afërmve të tyre tregojnë se me mijëra familje kanë humbur kursimet apo po hyjnë në borxhe në mungesë të të ardhurave të mjaftueshme për të përballuar koston e lartë të barnave dhe analizave të shumta" shkruan zoti Meta.
Sipas tij "Qeveria duhet urgjentisht të RIMBURSOJË pa asnjë vonesë të gjithë qytetarët, të cilët janë kuruar në shtëpi dhe t’u garantojë ILAÇET FALAS të gjithë të infektuarve".
"Dokrrat me “shëndetësinë falas” dhe çdo demagogji tjetër duhet të marrin fund! Qytetarët nuk mund të lihen më në mëshirë të fatit përballë një virusi kaq të rrezikshëm, që vetëm dje mori 21 jetë, shifër rekord për numrin ditor të viktimave" shkruan zot Meta.
Kreu i shtetit kërkon "Urgjentisht të bëhet transparent plani i vaksinimit masiv dhe jo “klasor” i popullatës dhe të ndryshohet rrënjësisht strategjia antiCOVID, mbështetur mbi këshillat e specialistëve më të mirë epidemiologë, virologë e imunologë brenda e jashtë vendit. 
“Babëzia” në pandemi është edhe më kriminale! I vetmi prioritet dhe preokupim duhet të jetë: Mbrojta e shëndetit dhe jetës së qytetarëve!" mbyll mesazhin e tij kreu i shtetit.