RTSH 24 Live

Aktualitet

Meta përshëndet "Defender Europe 21": Të gatshëm të mbrojmë vlerat e lirisë, paqes dhe demokracisë në të gjithë hapësirën euroatlantike!

04/05/2021

Meta përshëndet "Defender Europe 21": Të gatshëm të mbrojmë vlerat e lirisë, paqes dhe demokracisë në të gjithë hapësirën euroatlantike!

Presidenti shqiptar Ilir Meta i ka uruar suksese stërvitjes së përbashkët ushtarake të NATO-s “Immediate Response 21” (Defender Europe 21), duke theksuar se ajo do të dëshmojë se jemi të gatshëm në çdo kohë të mbrojmë vlerat e lirisë, paqes dhe demokracisë në të gjithë hapësirën euroatlantike.
Zoti Meta tha se Shqipëria, anëtare e NATO-s, ndihet e vlerësuar, se i është besuar detyra dhe përgjegjësia e vendit pritës për një nga stërvitjet më të mëdha në rajon, rol që do ta justifikojë plotësisht. 
Besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj NATO-s është unanime, ashtu sikundër vokacioni europian i kombit tonë, është shprehur zoti Meta.
Ai premtoi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partner dhe anëtar i denjë i Aleancës, me synimin e qartë të përmbushjes së objektivave dhe vullnetit të popullit për t’u bërë sa më shpejt pjesë e familjes së madhe europiane.
"Jam i bindur se përmes kësaj stërvitjeje të përbashkët do të dëshmojmë se jemi të gatshëm në çdo kohë të mbrojmë vlerat e lirisë, paqes dhe demokracisë në të gjithë hapësirën euroatlantike dhe jo vetëm" tha kreu i shtetit shqiptar.