RTSH 24 Live

Kulturë

Meta në Kalabri: I rëndësishëm nënshkrimi i një protokolli të përbashkët

19/04/2022

Meta në Kalabri: I rëndësishëm nënshkrimi i një protokolli të përbashkët

Presidenti Ilir Meta nisi të martën një vizitë zyrtare disaditore në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri.

Në takimin e zhvilluar në ambientet e bashkisë së Civita, Presidenti Meta vlerësoi kontributin e arbëreshëve, jo vetëm për pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për atë të Italisë, duke shërbyer si urë lidhëse midis dy vendeve mike.

“Komuniteti arbëresh, të cilit Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen për hedhjen e themeleve të Lëvizjes Kombëtare, është projektimi ynë i përbashkët, i shkëlqyer, në Evropën e Bashkuar. Ata mbeten modeli ekselent i të qenit pjesë përbërëse e së tërës të bashkuar, duke ruajtur dhe trashëguar karakteristika të identitetit të origjinës historike”, tha Presidenti.

Ai theksoi edhe rëndësinë e nënshkrimit të një protokolli të përbashkët mes Shqipërisë dhe Rajonit të Kalabrisë.

“Është i rëndësishëm nënshkrimi i një protokolli të përbashkët mes Shqipërisë dhe rajonit Kalabri, sipas atij ekzistues me rajonin e Puljas, dhe atë të propozuar me Rajonin e Sicilisë, …që  do të shërbente si një instrument ndërlidhës nga pikëpamja kulturore edhe arbëreshët e Kalabrisë dhe të Basilicatas me arvanitasit, pasi edhe Kroacia është pjesë e makrorajonit. “Moti i Madh, propozuar në listën e trashëgimisë së UNESCO-s, ka mbështetjen e plotë të autoriteteve shqiptare”, theksoi kreu i shtetit shqiptar.

Presidenti Meta nderoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” shkrimtarin dhe publicistin e spikatur arbëresh, profesorin Vincenzo Bruno: “Me vlerësim të lartë për kontributin e çmuar në fushën e gjuhësisë e letërsisë, nëpërmjet krijimtarisë së vyer me publikime të pasura në gjinitë e teatrit, poezisë, romaneve e gazetarisë, si dhe në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. Me mirënjohje të veçantë për promovimin me pasion të ‘çështjes arbëreshe’, nëpërmjet shkrimeve arbërisht-italisht, duke i shërbyer kultivimit dhe në të mirë të vazhdimësisë të ruajtjes së saj” ishte motivacioni.