RTSH 24 Live

Art

Meta nderon Anagnostin me titullin e lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”

23/01/2021

Meta nderon Anagnostin me  titullin e lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”

Mjeshtri i artit të filmit shqiptar Dhimitër Anagnosti u dekorua sot nga Presidenti Ilir Meta me titullin e lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Ky vlerësim  i bëhet në 85-vjetorin e lindjes, si një personalitet gjenial që mbizotëroi me veprat e tij të jashtëzakonshme në kinematografinë shqiptare, duke e lartësuar atë si Brenda dhe jashtë vendit.
Si mjeshtër i fjalës dhe i skenarëve të shumë prej filmave të tij, artisti kishte përgatitur mjeshtërisht disa rreshta që përmbanin një mesazh plot vlera për jetën, fjalë që u lexuan nga e shoqja, aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit shqiptar, Roza Anagnosti.
Regjisori dhe kineasti i shquar Dhimitër Anagnosti, në karrierën e tij 40-vjeçare, mbajnë firmën e tij 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, duke e shpalluar fitues të mjaft çmimeve në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. 
Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. 
Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, "Komisari i dritës" dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin "Dueli i heshtur". Por më vonë do t’i vendoste vulën një sërë kryeveprash, duke e renditur në panteonin e artit shqiptar.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar.