RTSH 24 Live

Politikë

Meta kthen koncesionin për aeroportit “Nënë Tereza”

24/02/2021

Meta kthen koncesionin për aeroportit “Nënë Tereza”

Presidenti Ilir Meta ktheu sot ligjin, që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” me 13 vjet, duke e konsideruar atë “shkelje flagrante të ligjit dhe të Kushtetutës”.

Në një konferencë për mediet, Meta tha se ky vendim i qeverisë shkel interesin e publikut dhe është mbajtur i fshehtë nga sytë e qytetarëve.

“Ky ligj dhe marrëveshja shtesë koncesionare që ka miratuar, ka nivelin me të lartë të antikushtetutshmërisë dhe për të keq edhe të “korrupsionit legjislativ”, në qeveri dhe në Kuvendin njëpartiak. Ky fenomen, pra “korrupsioni legjislativ”, është kthyer në mjetin e ri të mbulimit të përfitimeve klienteliste të fondeve dhe pasurisë publike, ku për çdo përfitim të dhuruar, miratojnë një ligj, për ta ligjëruar, u shpreh Meta.

Ai theksoi se vendimmarrja e ndjekur për shtesën arbitrare të koncesionit është kryer në kundërshtim me rregullat e shtetit shqiptar dhe në dëm të interesit të qytetarëve.

“Vendimarrja dhe procedura e ndjekur nga Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, për shtesën arbitrare të koncesionit të Aeroportit “Nënë Tereza”, është kryer në kundërshtim me të gjitha rregullat e shtetit shqiptar, në dëm të interesave të tij dhe të qytetarëve shqiptarë dhe për këto arsye, kjo Kontratë Shtesë Koncesionare është mbajtur e fshehur, larg syrit të publikut”, u shpreh Meta.

Sipas tij, në faqen zyrtare të Kuvendit, edhe sot, nuk është bërë publike ende kontrata shtesë e koncesionit, që është miratuar me ligjin nr. 16/2021, të datës 8 shkurt 2021.