RTSH 24 Live

Aktualitet

Megaoperacioni/ Zbulohet “shtëpi bari” dhe arsenal armësh në Durrës, policia: Ishte bazë e grupeve kriminale

24/01/2023

Megaoperacioni/ Zbulohet “shtëpi bari” dhe arsenal armësh në Durrës, policia: Ishte bazë e grupeve kriminale

Policia ka zhvilluar një megaoperacion në Durrës ku ka zbuluar ambiente të kultivimit të drogës dhe një arsenal armësh. Sipas policisë, droga dhe arsenali i armëve është zbuluar në banesën 4-katëshe e vëllezërve me inicialet F.K dhe S.K.

Si rezultat i këtij megaoperacioni, në fshatin Sallmone, u zbulua ambient (banesë 4-katëshe) i dyshuar në pronësi të vëllezërve F. K. dhe S. K. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar se kati i tretë dhe i katërt i kësaj banese, ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave. Gjatë kontrollit në këto dy kate, u gjetën dhe u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike”, tha drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Skënder Hitaj.

Gjithashtu, po në këtë ambient janë gjetur një arsenal armësh, i përbërë nga 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Fjala e drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Drejtues i Parë Skënder Hitaj:

Në zbatim të planit të masave, të hartuar nga Policia e Shtetit, me fokus mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe të kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura, me anë të llambave dhe në terrene të hapura, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë zhvilluar operacione kontrolli, në terren, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Në përmbushje të detyrave të përcaktuara në këtë plan masash dhe në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, të zhvilluara më parë, bazuar në inteligjencën informative, se në një ambient (banesë), në fshatin Sallmone, Shijak, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike me anë të llambave dhe se mbahej i fshehur një arsenal armësh, i poseduar nga grupe kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Shijak, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi me metoda proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar megaoperacionin policor të koduar “Krahët e krimit”.

Si rezultat i këtij megaoperacioni, në fshatin Sallmone, u zbulua ambient (banesë 4-katëshe) i dyshuar në pronësi të vëllezërve F. K. dhe S. K. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar se kati i tretë dhe i katërt i kësaj banese, ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave. Gjatë kontrollit në këto dy kate, u gjetën dhe u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu, në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Krahët e krimit”, bazuar në inteligjencën informative, se në këtë banesë mbahej i fshehur edhe një arsenal armësh, është ushtruar kontroll i imtësishëm në të gjitha ambientet e kësaj banese.

Si rezultat, në një ambient me mur të dyfishtë, në këtë banesë, është gjetur i fshehur një arsenal armësh, i përbërë nga 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi F. K., 46 vjeç, banues në Sallmone, Shijak, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi S. K., 43 vjeç, shtetas me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtes pa leje. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.

Nga hetimet e kryera deri tani, si dhe bazuar në inteligjencën informative, dyshohet se armët e gjetura në këtë ambient (banesë), mund të jenë fshehur nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për të përcaktuar nëse janë përdorur për ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Po nga hetimet, dyshohet se edhe kultivimi i bimëve narkotike mund të jetë financuar nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

/rtsh.al/