RTSH 24 Live

Botë

Mediat publikojnë një foto të mbërritjes së Assad dhe familjes së tij në Moskë

08/12/2024

Mediat publikojnë një foto të mbërritjes së Assad dhe familjes së tij në Moskë
Assad dhe familja e tij në Moskë

Mediat ruse kanë publikuar një foto të Bashar al Assad në Moskë, ku ai shihet se është bashkë me familjarët e tij. Kjo foto është publikuar në rrjet sociale.

Bashar Al Assad ka qenë prej më tepër se 24 vite president i Sirisë, ndërsa familjarë të tij kanë drejtuar vendin për më tepër se 50 vite.

Bashar al-Assad dhe familjes së tij, e cila ka mbërritur në Rusi, I është dhënë azil politik nga autoritetet ruse, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve të dielën, duke cituar një burim të Kremlinit.

Agjencia e lajmeve Interfax citoi një burim të paidentifikuar I cili tha: "Presidenti i Sirisë Assad ka mbërritur në Moskë. Rusia u ka dhënë atyre (atij dhe familjes së tij) azil për arsye humanitare."

Sipas tij, “Rusia gjithmonë ka mbështetur kërkimin e një zgjidhjeje politike në zgjidhjen e krizës siriane”.

“Zyrtarët rusë janë në kontakt me përfaqësuesit e opozitës së armatosur siriane, udhëheqësit e të cilëve garantuan sigurinë e bazave ushtarake ruse dhe institucioneve diplomatike në Siri”, theksoi një burim në Kremlin.

Ai shprehu shpresën për vazhdimin e dialogut politik në emër të interesave të popullit sirian dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Federatës Ruse dhe Sirisë.

Biden: SHBA do të bashkëpunojë me partnerët për alternativat në Siri

Presidenti Joe Biden tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët dhe palët e interesuara në Siri për të shqyrtuar alternativat dhe për të menaxhuar rrezikun pasi kryegritësit përmbysën Presidentin sirian Bashar al-Assad.

Në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fqinjët e Sirisë gjatë periudhës së tranzicionit dhe do të ndjekin me kujdes retorikën dhe veprimet e grupeve rebele.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk e dinë zyrtarisht vendndodhjen e Asadit, por vuri në dukje njoftimet sipas së cilave ai kishte shkuar në Moskë.

Ai tha se al-Assad "duhet të mbahet përgjegjës". Biden tha se Siria është në një periudhë rreziku dhe pasigurie dhe se është hera e parë në vite që as Rusia, as Irani dhe as organizata militante e Hezbollahut nuk kanë një rol me ndikim në Siri.

"Për vite të tëra, mbështetësit kryesorë të Assadit kanë qenë Irani, Hezbollahu dhe Rusia. Por gjatë javës së fundit, mbështetja e tyre u shpërbë, sepse të tre ata janë shumë më të dobët sot se sa ishin kur unë mora detyrën", tha zoti Biden.

Presideti Biden tha se forcat amerikane kryen të dielën mbi 10 sulme me preçizion të lartë brenda Sirisë duke vënë në shënjestër kampet dhe operativët e grupit militant Shteti Islamik.

"Është një moment që ofron mundësi historike për popullin e Sirisë, i cili ka vuajtur për një kohë të gjatë, që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për vendin e vet krenar. Është gjithashtu një moment rreziku dhe pasigurie. Ndërsa ne të gjithë bëjë pyetjen se çfarë vjen më pas, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët tanë dhe palët e interesuara në Siri për t'i ndihmuar ata të përfitojnë nga mundësia për të menaxhuar rrezikun”, shtoi zoti Biden.

/rtsh.al/