RTSH 24 Live

Aktualitet

Mediat greke: Rama-Erdogan folën për detin

07/01/2021

Mediat greke: Rama-Erdogan folën për detin
Pritja e Kryeministrit Rama nga Presidenti turk Erdogan

Vizita e Kryeministrit Edi Rama ne Turqi nuk ka kaluar pa vemendje ne mediat greke. Aq me teper kur mes Greqise dhe Turqise prej muajsh ekziston konflikti për detin mes tyre. Në shtypin grek pati një numër komentesh për takimin e Edi Ramës me Erdogan dhe të gjitha të lidhura me vendimin e Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje në Detin Jon dhe marrëveshjen e arritur me Shqipërinë për të ndarë zonat ekskluzive ekonomikëe në Gjykatën e Hagës.

Pritja e bujshme dhe udhëtimi i beftë i Kryeministrit shqiptar për në Ankara, pa nxjerrë më parë një njoftim paraprak është interpretuar nga një pjesë e mediave greke si sinjale se në këtë takim mes Erdogan dhe Ramës është diskutuar edhe çështja e detit. Ato i përforcojnë këto pretendime duke kujtuar se vetëm një ditë më parë kishte pasur një telefonatë mes Ramës dhe ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendiasit.

Televizioni Mega thotë se në qendër të takimit ka qenë marrëveshja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, më pas çështje të tjera që janë njoftuar edhe zyrtarisht në daljen publike të Erdogan me Ramën, si rindërtimi nga pasojat e tërmetit.

Sipas këtij televizioni, Turqia është e shqetësuar pasi Greqia mund ta përdorë zgjerimin grek në Perëndim si precedent për të bërë të njëjtën gjë edhe në ujërat e kontestuara mes dy vende, duke sjellë zhvillime të reja në Mesdheun Lindor. Edhe mediat e tjera u ndalën tek vizita e beftë, pritja që i rezervoi Erdogan dhe hamendësimeve se është diskutuar për 12 miljet detare.

Ndërkohë, ditën e enjte edhe zëvendësministri i jashtëm grek ka folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Duke folur për shtypin vendas, Varviciotis është shprehur se sa i përket cështjes së detit “jemi në fazën e përpunimit së dosjes” që do të duhet të shqyrtohet në Hagë. Ndërsa vizitën e kryeministrit shqiptar në Greqi, Varviciotis e konsideroi si një vizitë për probleme të bashkëpunimit ekonomik.

Mediat online e kanë pasqyruar më të zgjeruar vizitën e Ramës në Ankara, duke cituar nënshkrimet e marrëveshjeve, që me ngritjen e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik dhe çështje të tjera si bashkëpunimi ushtarak, ekonomik, social dhe kulturor.