RTSH 24 Live

Kronika

Me mbi 200 mijë euro të padeklaruara dhe verë kontrabandë, në pranga 50 vjeçari

25/09/2022

Me mbi 200 mijë euro të padeklaruara dhe verë kontrabandë, në pranga 50 vjeçari

A. B., 50 vjeç ka rënë në pranga të policisë pasi tentoi të kalonte kufirin me para të padeklaruara si edhe kuti me shishe vere pa faturë blerjeje në mjetin e tij.

Policia sekuestroi 218 885 euro dhe sasinë e verës.

"Shërbimet e PKK Port Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Vlorë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, një mjet kamion tip "DAF", me drejtues shtetasin A. B.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 218 885 euro të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore në fuqi dhe kuti me shishe vere, pa faturë blerjeje.

Në përfundim të veprimeve në kuadër të operacionit “Excise”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 50 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale "Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi", "Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë", thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/