RTSH 24 Live

Letërsi

Me “Duhet të jetë dashuria”, Nurie Emrullai shpallet fituese e Çmimit Kadare për vitin 2023

26/02/2023

Me “Duhet të jetë dashuria”, Nurie Emrullai shpallet fituese e Çmimit Kadare për vitin 2023

Shkrimtarja e re nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, Nurie Emrullai u shpall këtë vit fituese e Çmimit Letrar Kadare për vitin 2023, njoftuan burime nga juria e posaçme. 

“Është një emër surprizë, por plotësisht i merituar për këtë zonjë nga bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut, edhe për të provuar se letërsia e mirë shqipe shkruhet kudo dhe jo vetëm në Tiranë” – tha kryetarja e jurisë, shkrimtarja Natasha Lako. 

Emrullai konkurroi me romanin “Duhet të jetë dashuria” dhe u shpall fituese mes 27 dorëshkrimeve në prozë nga 27 autorë të këtij edicioni.

"Dorëshkrimi i romanit “Duhet të jetë dashuria” i shkrimtares Nurie Emrullai nga Maqedonia e Veriut dalloi për gjetjet stilistikore dhe talentin, për t’i dhënë mikrokozmosit të saj, një frymë letërsie universale" ishte motivacioni i veprës fituese të këtij çmimi të zgjedhur nga juria e cila duket se nuk ka patur mëdyshje dhe e ka votuar unanimisht.

Çmimi "Kadare" është themeluar në vitin 2014 me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës. Ai ka si mision "inkurajimin e të shkruarit të letërsisë shqipe, përmes botimit dhe promovimit të veprës fituese si dhe nxitjen e debatit për letërsinë shqipe. 

Tashmë ky çmim ka një gjeografi dhe listë impresionuese. Ai ka filluar me shkrimtarë që jetojnë dhe krijojnë në emigracion si Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku, shkrimtarët nga Kosova si Musa Ramadani dhe Gani Mehmetaj, apo shkrimtarë të rinj si Loer Kume nga Durrësi. Shkrimtarja e parë grua që e fitoi këtë çmim vitin e kaluar 2022, është  Vera Bekteshi.

Nurie Emrullai, lauretja e këtij viti është shkrimtare e re. Ajo ka botuar disa libra ku spikatin librat me poezi “Vargmale nën dhe”, si dhe “Në orën moderne të perëndive”. Emrullai është aktualisht asistent lektore në universitetin e Tetovës dhe doktorante për Letërsi, në universitetin e Shkupit. 

 

/ rtsh.al /