RTSH 24 Live

Politikë

Me 75 vota pro, Kuvendi miraton aktin normativ për kompensimin e çmimeve për materiale ndërtimi

30/06/2022

Me 75 vota pro, Kuvendi miraton aktin normativ për kompensimin e çmimeve për materiale ndërtimi

Kuvendi ka miratuar këtë të enjte aktin normativ për kompensimin e çmimeve për materiale ndërtimi. Me 75 vota pro, 33 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i hapi rrugë kompensimit nga shteti të 300 kompanive të ndërtimit që kanë projekte publike.

Ky akt normativ u bë shkak për jo pak debate gjatë seancës së sotme plenare, ku opozita e kundërshtoi fuqishëm, me argumentin se favorizon “oligarkët”.  Ata vunë në dyshim pronarët e kompanive që do të kompensohen, ku deputetja Jorida Tabaku akuzoi se bëhet fjalë për persona që janë në kërkim apo të hetuar për trafik ndërkombëtar droge.

Megjithatë, Ministrja e Ekonomisë, Delinda Ibrahimaj kundërshtoi akuzat e opozitës, teksa tha se synimi është mbështetja për sektorin e ndërtimit pasi muajt e fundit ka pasur ngadalësim, duke theksuar se qeveria duhet të garantojë rritje ekonomike.

Sipas këtij akti normativ, janë rreth 300 kompani do të përfitojnë 5-30% kompensim për çmimin e rritur të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut deri në përfundimit e situatës së krizës të shkaktuar nga situata globale ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve.

/rtsh.al/