RTSH 24 Live

Ekonomi

Më 5 tetor 2025 nis operacionalizimi i SEPA, integrimi në tregun europian të pagesave

09/12/2024

Më 5 tetor 2025 nis operacionalizimi i SEPA, integrimi në tregun europian të pagesave

Procesi i integrimit të Shqipërisë ka qenë i gjatë, kompleks dhe shumëplanësh, por duket se vitet e fundit puna po bëhet më e prekshme për qytetarët.

Lajmi më i mirë i ditëve të fundit është materializimi i përpjekjeve dhjetëvjeçare për anëtarësimin e vendit në tregun europian të pagesave, një arritje, e cila me operacionalizimin e saj do të sjellë përfitime për qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, duke e integruar më tej sipërmarrjen dhe ekonominë shqiptare me tregun europian.

Është pikërisht Banka e Shqipërisë që e ka udhëhequr këtë proces të rëndësishëm, duke u treguar proaktive ndaj ndryshimeve teknologjike në ambientin ndërkombëtar të pagesave dhe duke e drejtuar tregun drejt adoptimit të këtyre ndryshimeve.

"Shqipëria së bashku me Malin e Zi nga 21 nëntori janë pranuar tashmë si pjesë e zonës gjeografike SEPA dhe që prej afateve të operacionalizimit, ofruesit e shërbimeve në territorin shqiptar do të munden të ofrojnë shërbimet transaksionale ndërkufitare me tarifa shumë më të lira dhe me kohë shumë më të shkurtër me vendet e Bashkimit Europian dhe të zonës SEPA. Këtu flasim për reduktim disafishe, të paktën pesë herë më të lira sesa ç'janë aktualisht me modelin ekzistues të bankave," tregon Ledia Bregu, drejtore e Departamentit të Pagesave në Bankën e Shqipërisë.

SEPA pritet të sjellë përfitime kryesisht për bashkatdhetarët tanë, familjet të cilat kanë pjesëtarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, por edhe bizneset e sektorit të shërbimeve të cilat kryejnë transferta të vazhdueshme me partnerët e tyre në BE.

Ndërkohë BSH-ja kërkon nga ana e sipërmarrësve në vende që të nisin përgatitjet për të respektuar afatet e rregullores në mënyrë që të realizojnë aderimin në skemat SEPA. 

Pranimi i Shqipërinë në juridiksionin e zonës gjeografike SEPA shënon një arritje politike në nivel kombëtar, si një hap konkret drejt integrimit të vendit në tregun europian. 

Data 5 tetor e vitit të ardhshëm do të sjellë përfitime të shumëfishta, kur vetëm përgjatë vitit të parë të anëtarësimit aktorët ekonomikë në vend do të kursejnë rreth 20 milionë euro si rezultat i uljes së komisioneve, duke dhënë kësisoj një sinjal pozitiv në lehtësimin e tregtisë me partnerët tanë kryesorë europianë, si dhe duke u krijuar më shumë akses bizneseve shqiptare në tregun prej 500 milionë banorësh.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/