RTSH 24 Live

Politikë

Mbyllja e shkollës turke, Rama: Mos bëni konspiracione, s’kanë zbatuar ligjin

23/09/2022

Mbyllja e shkollës turke, Rama: Mos bëni konspiracione, s’kanë zbatuar ligjin

Mbyllja e shkollës turke jopublike “Mehmet Akif” ka nxitur debate të shumta në media duke e cilësuar atë si mbyllje për shkak të kërkesës së Erdogan, pasi shkolla ishte themeluar nga kundërshtari i tij Fethullah Gylen. Kryeministri Rama ka reaguar për rastin duke thënë se nuk ka nevojë për konspiracione dhe se mbyllja e shkollës erdhi si pasojë e shkeljes së ligjit.

Lidhur me protestën e prindërve dhe nxënësve përpara shkollës, Rama e konsideroi si përdorim të tyre nga persona me ndërgjegje të ulët.

“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë. Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standardet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e licencës.

Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi”, shkruan Rama.

Ministria e Arsimit tha se shkolla u mbyll pasi nuk plotësonte kriteret ligjore duke mohuar arsyetimet se kjo u bë me kërkesë të Erdoganit pasi ishte një shkollë e themeluar nga organizata e Gylenit. Ndërsa opozita kërkoi transparencë për vendimin e qeverisë pasi ky kolegj rezulton tek 10 institucionet më të mira arsimore në Shqipëri.

/rtsh.al/