RTSH 24 Live

Sociale

Mbyllet burgu i Zaharisë, nis transferimi i 319 të burgosurve

27/11/2021

Mbyllet burgu i Zaharisë, nis transferimi i 319 të burgosurve

Ka nisur të shtunën transferimi i personave me masë shëndetësore nga Zaharia në drejtim të burgut të Shën Kollit, ku dy blloqe janë rikonstruktuar dhe përshtatur për 319 të burgosurit pacientë.

Operacioni drejtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe do të shtrihet në dy ditë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka inspektuar ambientet ku do të akomodohen të burgosurit pacientë të Zaharisë, duke parë nga afër kushtet dhe masat e marra. Ai ka vlerësuar punën e bërë, duke theksuar se pas më shumë se 20 viteve rekomandimesh e vërejtjesh, është realizuar mbyllja e një prej institucioneve më të kritikuara dhe të amortizuara.

Sipas Manjës, qëndrimi i këtyre personave në këto ambiente do të jetë një fazë kalimtare, derisa ata të merren përfundimisht nën përkujdesje nga Ministria e Shëndetësisë në një institucion totalisht të përshtatur për problematikat e këtyre personave.

“Premtuam që Zaharia do mbyllej brenda nëntorit dhe e mbajtëm. Është ditë e bukur, pavarësisht shiut. Falënderoj të gjitha stafet e angazhuara, sidomos ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të IEVP Zahari dhe IEVP Shën Koll për angazhimin e tyre fizik e human edhe në ditët e pushimit, në trajtimin dhe sistemimin e këtyre personave në ambientet e rikonstruktuara të Lezhës”, ka thënë Manja.

Të dënuarit e izoluarit në qelitë e godinës janë të sëmurë të shëndetit mendor, para apo tetraplegjikë si dhe të moshuar mbi 65 vjeç.