RTSH 24 Live

Politikë

Mbledhja për përjashtimin e deputetëve të PD, Boçi: Absurde, ushtruam të drejtën tonë për marrjen e fjalës

08/02/2023

Mbledhja për përjashtimin e deputetëve të PD, Boçi: Absurde, ushtruam të drejtën tonë për marrjen e fjalës

Në një kohë që Komisioni i Vlerësimit dhe Etikës diskuton në mbledhjen e kësaj të mërkure (8 shkurt) mbi kërkesën e Partisë Socialiste mbi përjashtimin e 8 deputetëve të opozitës të cilët bllokuan foltoren e Kuvendit në seancën plenare të 2 shkurtit, nënkryetari i PD të Rithemelimit, Luçiano Boçi, e konsideron mbledhjen si të paligjshme. Sipas Boçit, kërkesa e deputetëve socialistë është absurde dhe sipas tij, PS po tenton t’i mbyllë gojën opozitës.

Kërkesa e disa deputetëve të PS, është absurde. Me urdhër poltik, në vazhdën e qëllimeve të Ramës për t’i mbyllur gojën opozitës, në atë përpjekjen e tij personale për eleminimin e pluralizmit të opozitës, të fjalës së lirë. E ka bërë me ndërkombëtarët, skandali ka plasur me McGonigal dhe vazhdon e bën atë në Parlament duke kërkuar të fikë zërin e qytetarëve, sepse zëri i deputetëve është zëri i qytetarëve. Dhe kërkon edhe sot që ky zë të mos transmetohent, në pretendimin se këto mbledhje janë të mbyllura, ndërkohë që rregullorja e Kuvendit e ka përcaktuar qartë se mbledhjet e Komsioneve janë të hapura ndaj medias. Po bën censurë", tha Boçi.

Ky i fundit, shtoi se, opozita nuk ka bllokuar foltoren e Kuvendit, por vetëm ka ushtruar të drejtën e saj për marrjen e fjalës në seancë plenare. 

"Kemi kërkuar të respektohet etika dhe rregullorja nga Komisioni i Etikës dhe Rregullores, që është bërë antietik.  Në momentin e dorëzimit të kërkesës, ajo shqyrtohet për përjashtimin e deputetëve Brenda 48 orëve, e ka neni 65 fraksion 2. Dhe kjo pikë e rregullores nuk është respektuar nga ky gjoja sekretariati i etikës dhe rregullores. Mbledhja nuk duhej të ishte zhvilluar dhe përjashtimi i deputetëve nuk duhej të mendohej. E ka vendosur Rama. Të gjitha bëhen me urdhëra politikë, me anë të telefonit. Po të ishte bërë brenda 48 orëve, 10 ditët ishin pa seancë dhe gjithë deputetët do duhej të ishin dy seanca. Është matematikë e Ramës nga zyra e tij që opozitës t’i mungojnë 8 zëra në Parlament. Parlamenti është i vdekur që merr vendime anti-interesit publik, në favor të klientelës së Ramës. Ne nuk e bllokuam foltoren, ushtruam të drejtën tonë për marrjen e fjalës brenda seancës”, tha Boçi.

/rtsh.al/