RTSH 24 Live

Politikë

Mbledhja e kryesisë së PD, Berisha: Bordet janë shndërruar në mekanizëm gjakpirës, më 7 korrik protestë mbarë qytetare

28/06/2022

Mbledhja e kryesisë së PD, Berisha: Bordet janë shndërruar në mekanizëm gjakpirës, më 7 korrik protestë mbarë qytetare

Kryetari i Partisë Demokratike i zgjedhur nga procesi i 'Rithemelimit', Sali Berisha në mbledhjen e Kryesisë së PD ka deklaruar se protestës së 7 korrikut do i bashkohet shoqëria civile, personalitete publike dhe forca opozitare brenda dhe jashtë parlamentit. Ai theksoi se roli i PD në këtë protestë është përcaktues.

“Protesta e 7 korrikut ka një rëndësi shumë të madhe jo si një protestë e PD-së, por si një protestë e mbarë qytetarëve shqiptarë. Nuk ka dyshim se roli i PD-së në organizimin e kësaj proteste është përcaktues, por PD shkon drejt kësaj proteste me një koalicion të gjerë me shoqërinë civile, personalitete publike dhe forca politike opozitare të vërteta parlamentare dhe jashtë parlamentare”, tha Berisha.

Më tej ai sulmoi bordet e ngritura nga qeveria për përcaktimin e çmimeve të shportës dhe karburantit, ku tha se janë shndërruar në mekanizëm gjakpirës. 

 “Nuk ka dyshim se problemi më kryesor është një lak në fytin e shqiptarëve që po shtrëngohet çdo ditë e më shumë nga çmimet stratosferike të bordeve komuniste të qeverisë së Edi Ramës. Unë mund tu them shqiptarëve se bordet për llogari të qeverisë dhe të oligarkëve janë shndërruar në një mekanizëm gjakpirës, të cilët rrisin çmimet jashtë çdo lloj logjike tregu. Dy ditë më parë fuçia e naftës në bursë ka qene 108 dollarë, nafta në treg ka qenë mbi 2600 lekë. Një muaj më parë kur fuçia e naftës ishte 108 dollarë, çmimi i naftës në tregun shqiptar ishte 2240 lekë. Bordet janë bërë zëdhënëse të një shfrytëzimi të egër të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

/rtsh.al/