RTSH 24 Live

Ekonomi

Mbështetja për grurin, 3 195 fermerë aplikuan në qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër

27/09/2022

Mbështetja për grurin, 3 195 fermerë aplikuan në qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër

Pavarësisht rritjes së çmimeve në sektorin bujqësor, përgatitja e tokave për mbjelljet e vjeshtës ka nisur kudo nëpër Myzeqe.

Kultivuesit e drithërave janë më të motivuar duke e cilësuar shtimin e sipërfaqjeve të mbjella me grurë, si produkt të skemave subvencionale.
Në zonën e Tërbufit në Lushnje, sipërmarrësit e mëdhenj të fermave po marrin toka me qera.

I nxitur nga mbështetja për naftën e grurin, kultivuesi i grurit Aldi Dupi nga 10 Ha grurë këtë vit do të mbjellë 30 Ha. Nga sot, Dupi ka nisur plugimin e tokës për të mbjellë grurë.

Çmimet e mekanikës bujqësore janë rritur, nga 1200 lekë për një dylym që ishte një vit më parë plugimi, për 2022 çmimi ka shkuar në 1500.
Megjithë rritjen e çmimit të naftës, kërkesat për punimin e tokës me traktor janë të shumta.

Aplikimet për skemën mbështetëse për grurin zgjaten mbi 3 javë, nga data 1 deri me 23 shtator.

Pranë Drejtorisë së Bujqësisë ne Lushnje, që mbulon qarqet Fier, Gjirokastër dhe Vlorë kanë aplikuar për të përfituar 30 mijë lekëshin për çdo hektarë të mbjellë me grurë 3 195 fermerë.

Në total për këtë skemë janë vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit 500 milionë lekë.

/rtsh/