RTSH 24 Live

Sociale

Mbërrijnë testet e para për linë e majmunit, Manastirliu: Do të kryhen në ISHP

27/06/2022

Mbërrijnë testet e para për linë e majmunit, Manastirliu: Do të kryhen në ISHP

Testimet për linë e majmunit tashmë do të kryhen në Shqipëri. Lajmi bëhet i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manatirliu e cila teksa vizitoi laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik deklaroi se në vend kanë mbërritur testet e para për diagnostikimin e rasteve të dyshuara me linë e majmumit apo kontakteve të tyre.

Në laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik tashmë ne kemi bërë të mundur që për 250 rastet të para që mund të jenë të dyshuara, të kemi dhe testet specifike në këtë laborator. Pra, do të kemi mundësi që pikërisht në këtë laborator, pa i çuar në laboratorët e referencës, të mundet të testojmë raste të dyshuara dhe gjithashtu kontaktet e dyshuara të rasteve”, bëri me dije Manastirliu duke shtuar se bashkëpunimi me laboratorët e referencës do të vijojë.

Duke folur për modernizimin e laboratorit të ISHP, Manastirliu bëri me dije se pritet që të forcohen kapacitetet me një aparaturë moderne për sekuencimin e genomit, teksa foli për masterplanin e ri transformues për Institutin e Shëndetit Publik.

Deri në vjeshtë ne duam që të kemi gjithashtu një tjetër aparaturë moderne në ISHP, që është sekuenciatori genomik. Pra do të kemi mundësi që në këtë laborator të mund të sekuencojmë genomin dhe është një ndër proçedurat që të gjithë laboratorët e referencës e kanë. Ndërkohë që me Institutin e Shëndetit Publik, jemi duke punuar për të përfunduar edhe masterplanin e të gjithë korpusit të Insititutit të Shëndetit Publik, përfshirë edhe godinën qendrore dhe një godinë të re që do të jetë kulla e laboratorëve, duke përfshirë nga laboratorët bazë, kimik, biokimik, gjithashtu laboratorët e virologjisë dhe mikrovirologjisë. Është projekti ynë më ambicioz që ne kemi për ISHP-në”, tha Manastirliu.

Lidhur me situatën epidemiologjike ku ditët e fundit është vënë re një rritje e rasteve pozitive me Covid19, Manastirliu i bëri apel qytetarëve që të vijojnë të vaksinohen.

/rtsh.al/