RTSH 24 Live

Aktualitet

Mbarëvajtja e procesit zgjedhor, në terren mbi 7 mijë efektivë të trajnuar për çdo situatë

16/04/2021

Mbarëvajtja e procesit zgjedhor, në terren mbi 7 mijë efektivë të trajnuar për çdo situatë

Më shumë se 7 mijë efektivë, të të gjitha gradave të Policisë së Shtetit, janë trajnuar nga ekspertë vendas e të huaj, për të monitoruar dhe dokumentuar çdo situatë që mund të ndodhë gjatë procesit zgjedhor deri në përfundimin e procesit të numërimit.
Në një intervistë të dhënë për Radio Televizionin Shqiptar, drejtori i Rendit Publik në dikasterin blu, Ylli Vasili, tha se përgatitja ka nisur që në muajin Dhjetor. Për këtë, çdo efektiv i përfshirë në proces, do të ketë edhe librin e xhepit “Për rolin e Policisë gjatë procesit zgjedhor”.
Kjo synon rritjen e mëtejshme të standardeve në procese zgjedhore duke u fokusuar vetëm në zbatim të ligjit, ku punonjësit e policisë të shërbejnë në përputhje me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian.
Lidhur me ruajtjen e personaliteteve dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, Policia e Shtetit pritet të ketë bashkëpunim të ngushtë me Gardën e Republikës dhe Ministrinë e Mbrojtjes për të shmangur çdo parregullsi të mundshme.