RTSH 24 Live

Sociale

Masat për sezonin turistik, hapen 29 qendra shëndetësore verore

17/06/2022

Masat për sezonin turistik, hapen 29 qendra shëndetësore verore

Përgjatë vijës bregdetare, por edhe në pika të tjera turistike të vendit, nga Thethi në Ksamil janë hapur 29 qendra shëndetësore verore, që do të sigurojnë shërbim për pushuesit.

Teksa vizituan qendrën shëndetësore verore Currila, në Durrës, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ajo e Turizmit, Mirela Kumbaro lajmëruan se këto qendra do të ofrojnë shërbim deri më 15 shtator.

“Janë 8 vite që qendrat shëndetësore verore nga veriu në jug, në bregdet, por edhe në zonat malore, ku gjithashtu numri dhe fluksi i turistëve dhe i pushuesve rritet, kemi mundësuar që përgjatë gjithë sezonit turistik, duke filluar nga qershori dhe deri në shtator, të garantojmë kujdesin shëndetësor, dhe që turisti apo pushuesi edhe qytetarët që banojnë në këto zona të mund të marrin një shërbim më të shpejtë, ne kemi vendosur që këto qendra të vijojmë t’i kemi të hapura përgjatë gjithë sezoni turistik. Shërbimi shëndetësor në qendrat shëndetësore verore është 24 orë. Ekipet janë të përgatitura sepse janë dhe të trajnuara nga stafi i Urgjencës Kombëtare. Dhe nuk janë pak, por janë mbi 160 mjekë dhe infermierë të atashuar që punojnë dhe do të punojnë përgjatë gjithë sezonit në qendrat shëndetësore verore”, tha Manastirliu.

Ministrja Kumbaro u ndal edhe në garantimin e sigurisë në plazhe, përmes kontraktimit të vrojtuesve.

Hapja e qendrave shëndetësore verore është një ndër elementet që synojnë të garantojnë sigurinë e pushuesve gjatë sezonit veror.

/rtsh/