RTSH 24 Live

Aktualitet

Masat për Samitin e BE, Rrumbullaku: S’refuzojmë protestat, por siguria është prioritare! Çuçi: Jo brenda perimetrit të sigurisë

03/12/2022

Masat për Samitin e BE, Rrumbullaku: S’refuzojmë protestat, por siguria është prioritare! Çuçi: Jo brenda perimetrit të sigurisë

Masat e sigurisë do të jenë të një niveli tepër të lartë në Tiranë për mbajtjen e samitit të BE-Ballkani Perëndimor. Për raportimin dhe sqarimin e qytetarëve për zbatimin e masave ka qenë vetë Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku që ka dalë në një konferencë për mediat.

Rrumbullaku foli për protestën që do të organizojë Sali Berisha në bulevard përkundër kundërshtimit të Policisë së Shtetit dhe Bashkisë së Tiranës. Ai tha se respekton të drejtën e protestës, por që ajo nuk mund të bëhet në bazë të preferencave nëse shkelet siguria e një eventi të lartë siç është Samiti i BE.

“Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast, siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve VIP të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar. Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacenueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar.  Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta.”, tha Rrumbullaku

Rrumbullaku tha se 6 dhjetori do të jetë një ditë normale mësimi, pune dhe aktiviteti të përditshëm, ndërsa ka sqaruar se si do të devijojë trafiku dhe rrugët alternative të këmbësorëve. Rrumbullaku tha se masat e sigurisë janë marrë nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit.

 “Policia është e angazhuar në maksimumin e kapacitete për mbarëvajtjen e samitit. Në rrugëkalimet delegacioneve policia ka hartuar një plan të detajuar masash. Data 6 dhjetor është ditë normale mësimi, pune dhe aktiviteti të përditshëm. Kemi marrë masat për devijimin në rrugë alternative me qëllim, që mos të ketë pengesa”, tha ai.

Në lidhje me protestën e opozitës ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi pas takimit që zhvilloi me kreun e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku lidhur me masat e sigurisë për mbarëvajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor. 

Çuçi tha se protesta do të lejohet jashtë perimetrit të sigurisë ku do të zhvillohet samiti. Ministri e cilësoi samitin si ngjarjen diplomatike më e madhe që ndodh në Tiranë.

“Ne asnjëherë s’kemi qenë kundër protestave, gjithmonë e kemi garantuar të drejtën kushtetuese për të protestuar. Kësaj radhe thjesht ka një zonë të kuqe ku do të zhvillohet samiti dhe s’mund të protestohet. Jashtë kësaj zone ne do të marrim gjithë masat që edhe protesta të zhvillohet”, tha ai.

Rrugët e bllokuara

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;

Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;

Rruga “Dervish Hima”;

Rruga “Asim Zeneli”;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti” deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”. 

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë - Fushë Krujë – Vorë

Harta me rrugët e bllokuara

/rtsh.al/