RTSH 24 Live

Ekonomi

Masat për dimërimin e kafshëve, me rëndësi baza ushqimore dhe vaksinimi

05/11/2023

Masat për dimërimin e kafshëve, me rëndësi baza ushqimore dhe vaksinimi

Qarku i Korçës shoqërohet me dimër të ftohtë e të gjatë, ndaj blegtorëve u duhet të marrin një sërë masash për dimërimin e kafshëve që mbarështojnë.

Kryesore është që u duhet të sigurojnë sasi të bollshme të rezervave ushqimore për kafshët, si dhe përgatitja e stallave me kushtet e duhura për mbajtjen e kafshëve

"Të rishikohet inventari i bazës ushqimore për dimërimin meqenëse zona e Korçës është kryesisht malore dhe me dimër të ashpër," tregon Lazart Suraj, përgjegjës i sektorit të punës racore në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Korçë.

Përgjegjësi i Sektorit të punës racore në Qendrën e Transferimit të Teknologjike Bujqësore dhe Blegtorale Lazart Suraj shton më tej se tepër e rëndësishme është që të kryhet vaksinimi i bagëtive të imta kundër një sërë sëmundjesh në mënyrë që gjendja shëndetësore e kafshëve të jetë sa më e mirë si dhe të mos kenë humbje të krerëve.

"Tek dhentë duhet të kryhet vaksinimi kundër sëmundjeve që shkakton dështime, siç është salmoneloza apo që në gjuhën popullore quhet paratifo. Në drejtorinë tonë janë ezauruar një pjesë e mirë e këtyre masave profilaktiko-veterinare, por edhe nga ana higjieno-sanitare, këto momente teknike e praktike janë realizuar," shpjegon z. Suraj.

Sëmundjet infektive dhe parazitare prej vitesh nuk i kanë prekur në masë bagëtitë që mbarështohen në Qarkun e Korçës, kjo si rezultat i shërbimit të rregullt veterinar të kryer, duke bërë që tufat që mbarështojnë blegtoret të jenë të pastra.

Gazetare: Nermin Spahiu

/rtsh.al/