RTSH 24 Live

Aktualitet

Masat e reja anti-covid, nis anulimi i fluturimeve Kosovë – Itali

22/01/2021

Masat e reja anti-covid, nis anulimi i fluturimeve Kosovë – Itali

Ka nisur anulimi i fluturimeve nga Kosova për në Itali. Një i tillë, i planifikuar sot për në Milano, është anuluar. Qeveria në Itali ka vënë masa shtesë deri më 15 shkurt në lëvizjet brenda shtetit dhe udhëtimet nga jashtë. Udhëtimet Kosovë – Itali lejohen vetëm në raste urgjente dhe për hyrjen apo kthimin në Itali duhet vetizolim 14-ditor.

Vendosja e masave të reja anti-covid nga shteti i Italisë, ka bërë që të anulohen fluturimet nga disa vende. Sot është anuluar edhe fluturimi i paraparë nga Prishtina drejt Milanos. Këtë e ka konfirmuar zyrtari për informim në Aeroportin “Adem Jashari”, Bujar Gashi.

“Po fluturimi për në Milano për ditën e sotme është anuluar”.

Qeveria italiane ka vënë masa shtesë deri më 15 shkurt në lëvizjet brenda shtetit dhe udhëtimet nga jashtë. Në Itali është e ndaluar çdo lëvizje në distancë, përveç atyre për arsye pune. Udhëtimet Kosovë – Itali lejohen vetëm në raste urgjente dhe për hyrjen apo kthimin në Itali duhet vetizolim 14-ditor.

Gjatë ditës së djeshme Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve kosovarë me banim/qëndrim në Itali të respektojnë masat dhe protokollet parandaluese anti-covid-19, të përcaktuara në Dekretin e fundit të Qeverisë italiane, i përditësuar me datë 14 janar 2021.

Ambasada njofton se Dekreti parashikon zgjatjen e gjendjes emergjente me kufizimet e lëvizjes si në vijim:

“-Deri me 15 shkurt 2021, parashikohen kushtëzime për qarkullimin dhe lëvizjen brenda territorit italian: çdo lëvizje mes komunave (përjashtohen ato me më pak se 5000 banorë), prefekturave dhe rajoneve është e ndaluar; lejohen lëvizjet vetëm për arsye pune, shëndetësore, kthim në vendbanim dhe nevoja urgjente, ku parashikohet gjithsesi formulari i vetë deklaratës ku dëshmohet arsyeja e lëvizjes;

– Udhëtimet Itali/Kosovë dhe anasjelltas: lejohen vetëm në raste urgjente të dëshmuara, dhe për hyrjen/kthimin në Itali, parashikohet vetë izolimi i detyrueshëm 14 ditorë, si dhe mbikëqyrja shëndetësore. Sipas këtij dekreti, këto masa mbesin në fuqi nga 16 janari deri me 05 mars 2021.

– Kalimi tranzit nëpër Itali: të gjithë shtetasit kosovarë që udhëtojnë nga shtetet e BE-së mund të kalojnë tranzit përmes rrugëve tokësore, duke plotësuar formularin e vetë deklarimit, ku shpjegohet qartë qëndrimi në 14 ditët e fundit, duke respektuar detyrimin që të lëshojnë territorin italian brenda 36 orëve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ambasada e Kosovës në Itali më tej ka njoftuar se lejet e qëndrimit/permessi di soggiorno: të gjithë shtetasit kosovarë të cilëve u ka skaduar leja e qëndrimit italiane, DPCM Nr.2 i datës 14.01.2021, neni 5, parashikon zgjatjen e vlefshmërisë së tyre deri më datë 30 prill 2021.