RTSH 24 Live

Politikë

Masakra e Srebrenicës, Rama: Qëndrimi ynë në OKB për ata që budallallepsen nga i damkosuri me bojë i Shqipërisë

13/05/2022

Masakra e Srebrenicës, Rama: Qëndrimi ynë në OKB për ata që budallallepsen nga i damkosuri me bojë i Shqipërisë

Një mocion i Sali Berishës që nuk u pranua në Kuvend për masakrën e Srebrenicës ka nxitur përplasje mes opozitës dhe mazhorancës. Kryeministri Edi Rama më herët e cilësoi atë si “një lojë e ulët që po kryen një person non grata”, ndërsa sot ka publikuar videon nga fjala e ambasadorit tonë në OKB, Ferit Hoxha ku ka dënuar këtë masakër dhe ata që e mohojnë këtë krim lufte.

Rama thotë se Shqipëria ka qenë e qartë në Këshillin e Sigurimit në OKB më 11 maj 2022, ndërsa shton se kjo është për ata që budallalepsen pas ‘një të damkosuri botërisht si Katrani me Bojë i Shqipërisë’

“Kjo video është për ata që akoma budallallepsen nga shejtan-budallallëqet e një të damkosuri botërisht si Katrani me Bojë i Shqipërisë. Ja si ka folur Shqipëria më 11 maj 2022 për Srebrenicën, mu në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, shkruan Rama.

Në fjalën e tij më 11 maj në Këshillin e Sigurimit të OKB, ambasadori Ferit Hoxha ka thënë se Shqipëria dënon gjuhën e urrejtjes dhe sharjeve etnik lidhur me masakrën e Srebrenicës, ndërsa mohim e kësaj masakre e quan fyerje ndaj 8 mijë civilëve që humbën jetën në këto krime lufte.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar nga vazhdimi i retorikës politike të mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes me sharje etnike. Nxitja e ndasive midis grupeve etnike në Bosnje për lojëra politike mban firmën e Dodik dhe mohimi i përsëritur publik i gjenocidit nga ana e tij është thelbësor në përpjekjet e tij. Ti referohesh gjenocidit si “një mit i sajuar” apo “si mashtrimi më i madh i shekullit të 20-të” në një mohim deluziv është fyerje ndaj më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Srebrenicë. Nënshtrimi ndaj nacionalizmit dhe lavdërimi i kriminelëve të dënuar të luftës nuk është thjeshtë dhe vetëm një provokim. Çdo hap i gabuar në Bosnjë-Hercegovinë rrezikon të prek rajonin e më gjerë. Prandaj nuk është për t’u habitur që një sjellje e tillë e papranueshme u sanksionua me të drejtë dhe ne mirëpresim veprimet e ndërmarra”, tha ambasadori Ferit Hoxha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

/rtsh.al/