RTSH 24 Live

Sociale

MAS dhe sindikatat e arsimit nënshkruajnë kontratën kolektive të punës

09/06/2023

MAS dhe sindikatat e arsimit nënshkruajnë kontratën kolektive të punës

Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, si dhe Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë kanë nënshkruar Kontratën Kolektive të Punës për punonjësit e arsimit parauniversitar.

Duke e cilësuar si një sukses ministrja Evis Kushi shkruan në rrjetet sociale, se kontrata vjen me disa risi në interes të mësuesve, por edhe të nxënësve. 

Tashmë çdo mësues që plotëson moshën për pension pleqërie, pavarësisht nëse është fillim apo fund i vitit shkollor, mund të vazhdojë punën deri në përfundim të periudhës mësimore, e cila zgjat mesatarisht 3 muaj. 

Kjo risi do t’u sjellë nxënësve fillimin dhe përfundimin e mësimit të një tremujori me të njëjtin mësues, si një faktor pozitiv për zhvillimin psiko-social të nxënësve dhe rezultate më të mira në mësimnxënie.

Mësuesit e cilësuar si "invalidë pune”, jo vetëm ngarkesën mësimore, por dhe kohën e qëndrimit në punë do ta kenë në përputhje me vendimin e KMCAP.

Sipas kontratës normë mësimore të reduktuar nga 6-8 orë në javë përfitojnë edhe Kryetarja e Komisionit të Gruas dhe Kryetari i Komisionit të Rinisë në nivel kombëtar.

Për herë të parë Kontrata Kolektive e Punës mbështetet në standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat e mira të OECD, duke e përafruar këtë kontratë me kontratat e vendeve të BE.

 

/ rtsh. al /